Jude Bellingham po përpiqet të bindë sulmuesin e Manchester Cityt, Erling Haaland që t’i bashkohet atij në Real Madrid.
Bellingham dhe Haaland ishin bashkëlojtarë në Borussia Dortmund për dy sezone, por ndanë rrugët, kur sulmuesi norvegjez iu bashkua Manchester Cityt në verën e vitit 2022 dhe Bellingham shkoi te Real Madrid verën e kaluar.
Dhe sipas mediumit spanjoll “Cadena SER”, Bellingham shpreson të organizojë një ribashkim duke e bindur Haaland të largohet nga City për në Madrid.
“Ajo që kuptoj është se Bellingham dhe Haaland flasin me njëri-tjetrin pothuajse çdo javë,” tha gazetari Manu Carreno në emisionin radiofonik El Larguero.
“Bellingham e telefonon dhe i thotë të vijë në Real Madrid. Ata tashmë janë takuar në Dortmund dhe duket se Haaland nuk e pëlqen shumë Manchesterin”.
Real Madridi bëri një përpjekje për të nënshkruar me Haalandin në vitin 2022 përpara se norvegjezi të vendoste përfundimisht të bashkohej me Cityn, ku babai i tij Alfie kishte luajtur.
Haalandi në sezonin e parë me Cityn fitoi tripletën, teksa shënoi 36 gola në Premier League.
Ashtu si Haaland, Bellingham ka pasur sukses të madh në sezonin e tij debutues larg Dortmundit, duke shënuar 17 gola në 23 ndeshjet e tij të para.
Bellingham do të shpresojë të fitojë trofeun e tij të parë për Real Madridin, në finalen e Superkupës ndaj Barcelonës.
