Marrëzia zbriti me litarë buzëqeshjeje,
u fsheh e turpëruar nën lekurë e thonj,
u fut thellë ndër damarë duke thyer kristalet.
U mblodh si iriq,poshtë zemrës së uritur,
Aty priti të nginjej me gjak dliresie,
priti një ditë- dy -tri e kështu me radhë.
U lodh duke u djegur në atë prush që pulsonte parreshtur,
ëndërroi daljen, por dot nuk mundi,
u tret aty pranë vatrës se zjarrit
duke ngrohur shpresën.
E zuri gjumi mbi hirin e grohtë dhe ashtu dalngadalë u fik,
në pritje të etjes që kurrë nuk mbaroi.
E sytë u pulitën duke ndezur zjarrin në prehrin e së nesërmes
që fort ëndërronte.
