Një pjesë e asaj
çka andrroj natën
shembet në zgjim.
Veç trupi jot i avullt,
gërshetue në mendim
qindron,
e lidhet ny në ashtin tem.
Një gropëz në fyt
ngjeshë fjalët që ende s’ti them.
Ndërsa buza jote e mishtë
më bezdisë një dekik.
Ti beson se mundesh me prekë qiellin
ndërsa ende nuk e din,
se veç tuj dihatë
në dorë të kam prue diellin
e një dashunie
që ndrin mes nesh,
pa u shembë.
Ndaj ende nuk i kam çelë sytë,
se du me ndejtë edhe pak aty
ku ti harlisesh
në trupin tem.
E amël buzëqeshja
që bjen si diell
mbas malit.
Shndrit ti
edhe pak sa të kallet
kjo zemër,
i dashtun
për ty!
Të gjithë vdesin
për një natë
a çast.
Të gjithë çmenden
jargaviten,
sa me thanë,
veç ai me çibukun në buzë
e dredh një cigare tjetër,
e nuk bzan.
I sheh të gjithë,
një me lule,
tjetri me tekila,
një tjetër me mjekër
botë e marrë.
Ai sheh , mërzitet
një çast ose ndonjë natë
kur vonë dikush dihatë
e ikë.
Si në asgja kthehet prapë,
dredh cigaren,
e n’bisht t’synit
i ndez fenerët për një natë të gjatë.
Ku lumi rrjedh,
hana sodit prajshëm trupa të pangimë,
veç ai dehet nën za,
veç ai ka pa një gru tuj kja
dhe e ka mbledhë në grusht.
Pablo
të gjithë ikin,
ndërsa silueta jote
ende këtu asht.
