OPINGAT E PIROTIT
Asokohe, biro
ne mbathnim opinga Piroti
që prodhoheshin në Konaqet e Pirros
e bëheshin nga lëkura e fatit tonë.
Disa herë e paguanim mallin tonë
edhe bukën e paguanim dy herë.
Një herë kur e hanim
një herë kur e villnim
Asokohe, biro
gjithçka kemi duru
vetëm e vetëm koka e këtyre bjeshkëve
mos të mbesë pa plisin e bardhë.
As në dimër
as në verë.
PËRVJETORI I MËRGIMTARIT
edhe mërgimtari kremton festat, përvjetorët
teshat e punës me një det djersë
i la në një qoshe në fund të shkallëve
e veshi një këmishë me vija ylberi
e pantallonat me ngjyrë ëndrre
edhe kollaren që e vuri
ka ngjyrat e fatit të tij
se festë sot ka mërgimtari im
i mori do lule buzë lumit Klina
do rrem´a nga shkurrnajat pas Zabelit
edhe do klithma largësie
i mori nga rrugët e botës
duke kapërcyer lugjet rrudhave të babës
do lotë i mori nga sytë e nanës
e në m´ramjet e vetmuara të pritjes
i mori do cingërrima telefoni
në sokakun që mes për mes ndan fshatin
i mori do lojëra të fëmijërisë
edhe përqafimet e lagura nga rigat e lotëve të hanës
kur e përcollën atë natë te dera e shtëpisë
me të gjitha këto e zbukuroi tavolinën
ta përkujtojë ditën kur u nis rrugëve të botës
i cakërruan gotat deri në agun e ditës së re
ai, drita e hanës dhe dallgët e detit
METAFORAT THYEN XHAMAT E VETMISË*
Nga ballkoni i karantinës
kërkoj ndonjë zog
ta pyes për pranverën.
Zhurma e qetësisë
m´i shurdhon veshët
vret bukurinë e qytetit.
E pyes diellin
ku janë zogjtë
në këtë kohë karantine.
Papritmas bien “Kambanat e diellit”
qiellit të kaltër
zbret një plym zogjsh.
Vaksinën kundër Coronavirusit
ma sjell postieri.
Karantinën time
e mbush diell e cicërima
poezia e Arif Bozaxhiut.
Nga inati
Coronavirusi bëri vetëvrasje
në liqenin e mutacionit.
Në kurorat e drunjve të shpirtit
ranë shumë zogj
metaforat thyen derën e karantinës
dhe xhamat e vetmisë.
