Tuesday, December 23, 2025
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poetin Vullnet Mato

Çaste poetike me poetin Vullnet Mato

GRAVITETI MË I FUQISHËM NË BOTË

Femrat e reja kanë një fushë magnetike,

me pole tërheqëse, në gjinj e në kofshë,

duke i zbuluar pakëz, në rrethana tipike,

paralizojnë trurin e çdo mashkulli në botë.

Kështu e pësoi Çezari dhe Mark Antoni,

nga Kleopatra magjike e Egjiptit të lashtë,

po ashtu u magnetizua president Klintoni,

nga Monika Levinski në Shtëpinë e Bardhë.

Ashtu Sulltan Sulejmani i madhërishëm,

përfundoi në prehrin e skllaves Hurem,

verbuar nga graviteti femëror i fuqishëm,

mbeti përjetësisht skllav i saj, në harem.

Ashtu ka ndodhur me shumë burra shteti,

në të gjitha kohët, nga lashtësia deri sot,

tërhequr tmerrësisht, prej këtij graviteti

ata nuk kanë mundur, t’i rezistojnë dot…

Se polet magnetike të gravitetit femëror,

kanë fuqi tërheqëse, më tepër se posti i lartë

dhe bien nga kolltuku i dinjitarit shtetëror,

duke u bërë pre të fushës magnetike te gratë.

Edhe kur ata kanë mundur t’i mbajnë të dyja,

duke qëndruar mes dy tërheqjeve të mëdha,

kanë mbetur si planetët hëna, që ka gjithësia,

sepse fuqinë komanduese, e kanë marrë gratë.

RIZGJIM PRANVEROR

Ngazëlloj, duke soditur rizgjimin e natyrës,

në këto çaste pranverore, kaq solemne,

kur toka e përgjumur, fillon lan fytyrën,

në dushin e madh, çudibërës të rrezeve.

Fshesa e rrezeve, si amvisë e kujdesshme,

nis të fshijë dheun nga errësira dimërore,

zbulon dalëngadalë konturet e djeshme,

të kredhura në plehrishtet e blozës stinore.

Shtron udhën dhe fton diellin të dërgojë,

ngrohtësinë jetëdhënëse, aq të munguar.

Toka e përgjëruar, nis vishet, të nusërojë,

në dasmën e madhe, të blerimit të lulëzuar.

Pllajat e pyllëzuara vështrojnë majëmalet,

dhe nisin të stolisen para pasqyrës së qiellit.

Kumbullat sykaltra, përshkëndisin petalet,

për të pritur vizitën madhështore të diellit.

Zogjtë e tulatur, nëpër degëzimet blerore,

shkundin gjumin nga puplat, me cicërima,

qengjat e fjetur staneve, nëpër bregore,

përshëndesin rrezet diellore, me blegërima.

Gonxhet mes gjetheve, nisin rihapin gjinjtë,

dhe fillojnë të shkundin kristalet e vesës,

grunjërat e mëndafshta, drejtojnë kallinjtë,

të luhaten në valëzimin e ndritshëm të dehjes.

Gjithë hapësira e përgjumur dimërore,

tashmë shfaqet madhërisht, në ripërtëritje,

me buisjen e re, të bisqeve pranverore,

mbushur plot e përplot, me qumësht drite…

DELIRI I MADHËSHTISË SË SHOKUT

Unë dhe Toni, ishim profesorë,

lidhur herët në shpirt, si shokë.

Sapo ai u ngrit në post superior,

më pa si miush, u krekos si maçok.

Kështu një ditë, krejt pa kuptuar,

si Tomin me Xherin dielli na gjeti.

Ai frynte pendët, duke u shndërruar,

herë si pallua, herë si gjel deti…

Lëvdatat e miqve servilë, përqark,

e shndërruan, në një qenie tjetër,

sikur i derdhën te damarët në gjak.

lëngun magjik, të frynte pendët.

Këshillat e mia, për vetëkorrigjim,

Toni i quante frikësim, miushi.

Para fuqisë së tij, fryrë me pompim,

unë i dukesha, Xherri askushi.

Lexova të di, diagnozën e mjekësisë,

pse i kish hyrë aq në qejf, vetja e vet?

Thuhej: Simptoma, delir i madhështisë,

të bën, sikur mbi skllevër je bërë mbret.

Sikur ai ishte përcaktuar nga vet zoti,

të drejtonte gjithë kombin, etnikisht.

Kurse unë i dukesha, një dhaskal koti,

destinuar të jem, inferior përjetësisht…

Zbrazte kudo, vetëm fjalë bombastike,

rrokje të forta, si krisma shpërthimi,

duke përhapur gjithandej, tone frike,

nëpër shpirtra, me bindje nënshtrimi.

Dëgjuesit e thjeshtë, heshtnin të ndrojtur,

të mençurit, mbledhin supet me habi:

ç’ishte ky birbo, me paraqitje të lojtur,

që donte si Neroni, të mbetej në histori?…

Sot, kur njerëzimi ka flakur prej kohësh,

diktatorët, që ngjiten si gjelat mbi pleh

zgjidhet në krye njeriu i fjalës së ngrohtë,

kurrsesi, tipi i bastardit, që fillon e leh…

Pres me keqardhje ditën e shpuplimit,

kur Tonit t’i bien pendët krejt përtokë.

Dhe siç ndodh zakonisht, pas rrënimit,

të vijë të më lutet, ta pranoj për shok!…

KOLOSI I PAVDEKSHËM HEMINGUEJ

Ngjasim fytyre, kudo mund të gjesh,

portret si të Heminguejt, s’ka të dytë:

Fole zogu të thurur, me një tufë lesh.

ku flenë katër zogj: hunda, buza, sytë.

Kolosit tregimtar, me libra të botuar,

nga lind e perëndon dielli mbi tokë,

nuk i gjendet afërsi stili, në të shkruar,

as shkrimtarë, në gjah, t’i bëhen shokë;

Me gjashtëdhjetë faqe novele,”Plaku e deti”

rrëmbeu çmimin ndërkombëtar në letërsi,

tregoi, se në çdo moshë, ekziston vitaliteti,

të mposhti krijesat gjigante, qenia njeri.

Si kronist aventurier, ia bënte në këmbë,

koleges gazetare, nëpër disa llogore lufte,

bënte boks, me gotë pijesh ndër dhëmbë,

si mik i pandarë i gotës, në të globit klube.

Dorën e penës së tij, e kanë shtrënguar fort,

Kenedi, Çurçilli, Çu En Lai, me Çan Kai Shinë,

kudo ku shkoi, korrespondent nëpër botë,

me kronikat e fuqishme, nga Evropa në Kinë.

Në Kubë hodhi rrjetat, bashkë me peshkatarët,

me kontrabandistët e prostitutat krijoi letërsi.

Për komplotistët vetëvrasës i ra kambanës,

I dha lamtumirën armës, që shfarosi dashuri.

Në “Brezin e humbur”, nga lufta e përgjakët,

ngriti monumente, për njerëzit më fatkeq,

djegur e pocaqisur, nga tmerret dhe plagët,

ku ai skuqi me gjak, të gjithë kohën e vet.

Rendi drejt vdekjes, mes plumbash në stuhi,

përtej Atlantikut, në Afrikë, në malet Pirenej

dhe e mbylli me një plumb, në zemrën e tij,

kolosi i pavdekshëm në letra, Ernest Heminguej…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT