Kohë malli…
Pres të dëgjoj zërin tënd…
Në stinën e pakohë
jehon, si muzikë, në veshët e mi…
Mendoj e dridhem
,
teksa ti më përhapesh në aortë,
si lulëkuqet fushave të mbjella me grurë…
U zverdh dhe malli,
është kohë të korrash…
toka e thatë,
si bukën e shpirtit, të ruan..
buzëqeshja digjet mbi buzë…
Ç’mall!!!
A e di…
Këndoj një lirikë
për të zvogëluar hapin e pritjes,
Se çdo sekondë pa ty
Jetëgjatë është sa një përjetësi…
….. A e di…?
E padukshmja muzikë e shpirtit,
Tingullin ngre mbi re
Me notat e shkruara në mjegull
Të një ninulle që dëgjohet në lartësinë e qiejve …
Fle nata
e në heshtje djeg hënën si kashtën e thatë…
Zgjohet një tjetër ditë
Zhurmuese, e ashpër,
Njësoj si ditët që shkojnë, pa ne…
Fjalët e heshtura i peshojnë zemrës
Dhe kur dielli harpon mbi tokë,
Asgjë nuk e ngroh pritjen e gjatë,
Sa kthimi yt me pendesë në sy…
Qan një kitarë…
Qan dhe…
… i flet shpirtit
tek derdh lot zemre
mbi premtimin tonë
të një nate t’vonë
.
Lot që afrojnë dy sy,
sy që më nuk shihen
Qan një kitarë…
e ndjen
si e mbush me fjalë heshtjen.!?
