Tuesday, December 23, 2025
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me vargjet e poetes Nurie Emrullai

Çaste poetike me vargjet e poetes Nurie Emrullai

Distopia
Autobusa të tërë
i kanë mbushur
me dhé dhe po i çojnë
në tokën e premtuar, ku do mbinë fara të reja.


Drunjtë e trupëzuar, shtrirë nëpër tokë si trupa të vdekur,
myj i tyre i ndarë në dysh,
si atdheu jonë,
si nënat me bijtë e tyre,
si gjuha me njeriun,
si flamuri me vendin e tij këtu,
si rrenat e familjes së përkryer.


Syve tanë u kërkohet të ndërrojnë
shijen mbi të bukurën.
Të duan betonin, bekatonat, asfaltin,
të mrekullohen pas ndërtesave shumëkatshe,
të kenë zili gjuhën e huaj,

heroin e virtualizuar,
heroin me kravatë,
heroin e vetëheroizuar.
këtu s’flet asnjë më gjuhën e shpirtit.


Flasim për antivlerën si të ishte vlerë,
dhe na lajnë kokën me akull.
Bari s’ka më ku të rritet,
pranvera nuk vjen më këndej,


valixhet të bëra gati me pak kujtime…
Autobusa të tërë janë në pritje
Të ngarkohen me pak dhé,
Pak dhé që për varr t’kenë atje.

Ferri është vend i heshtur

Ne digjemi mes zjarresh,
këtu është një vjeshtë që plak secilin shëmtueshëm,
si me qenë gjethe që digjemi nga bryma.
Është një zjarr për të cilin s’flitet,
e s’i kujtoj dot piskamat e këtyre djegieve,
se ferri është vend i heshtur.

Ja zjarri
që e mbajmë ndezur,
fry e fry që ta silisim,
që mëkatet me heshtje t’i djegim.

Ë PATHËNAT E NJË JETE
Në kohën që po jetoj,
ajo çka më pak dua është trishtimi yt.
Andaj unë po ik i dashur,
për të të lënë me përgjigjet e pakta që i ke mbi botën,
e ty fatmirësisht të mjaftojnë.
Po ik për të të lënë me frikën tënde,
të jesh i lirë prej dashurie,
të njohësh njerëz të tjerë,
e t’i duash dhe ata veç për një ditë,
siç më doje mua…
Ajo çka u rrit bashkë me ne,
në ty ishte frika, në mua fjalët e pathëna,
që s’patën vend e kohë për të t’i thënë më.
E çka nëse të thoja se të dua?
Nata përsëri do të vinte pa hënë,
në ty përsëri frika do të ishte më e fortë se dashuria.
Prej njerëzve mësova se ata jetojnë me frikën
e të dashuruarit marrëzisht,
frikën e të puthurit siç puth Uliksi tokën e vet,
siç puthi për herën e fundit Kalipso Odisenë…
Prandaj sonte është nata e fundit
që i shoh yjet nga kjo anë
e në ata kudo shikoj fytyrën tënde.
Kam për t’u kthyer në hije si kjo natë sonte,
aq e heshtur do të bëhem, njëjtë sikur erdha…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT