Pa mua
Kur të jesh pa mua vetëm
Dhe mungesa ime
Dhomën të ketë mbushur
Skaj më skaj
Mos më thuaj
Mos më thuaj
Nuk qaj…
E njoh lotin tënd
Edhe pse nuk të rrëshqiti
Ai është lot i brendshëm
Lot shpirti…
Unë jam e padukshme
Unë jam me Ty , aty
Vijë të marr mungesën time
Mungesën tënde ndaj në dy .
Unë fjalë shkruaj në copa letrash
Që Ti nuk i lexove kurrë
Thua se janë prej gënjeshtrash
Thua se më dashuron si burrë!
Po unë, u lënduakam kot
Për një fjalë
Që Ti nuk e thirre kurrë në emër!
Unë , jam ndryshe
Jam femër…
Dashurohem pas fjalës
“Të Dua “,
Unë do të të pres
Unë do të të pres në portën e ëndrrës
Edhe nëse ti nuk vjen unë do të të pres
Do të shkund si pema fjalët e zemrës
Me shpirtin zjarr nuk do të vdes.
Mbështetur aty, tek trungu i tharë
Do të më gjesh ndonjë ditë patjetër
Ose pyet po deshe ndonjë kalimtar
Pse gjethe e trung i kthyen në letër.
Çdo ditë do të dal buzëdetit Adriatik
Të ngre siparin e t’përshëndes me dorë
T’tund shaminë e bardhë kur vendi më thotë ik
C’të bëj cop’ e shpirtit, kur gjysma quhet Vlorë.
Sytë e gurtë
Sytë e gurtë trembin mallin
Plotina ime në diell e shi
Përcillma heshtjen, të numëroj hapat
Pranisë sime të mos jesh tepëri!
Mblidhmi stinët në tufë malli
E shtromi udhëve të lagura-vijë
Pushtoi ditët që fort të desha
Dhe mëso: Dy herë s’ka çmenduri…
Fjala e lirë
Fjala e lirë
Ecte lakuriq
Në këmbë
Elegante
Hijerëndë
E mirë
E bukur
E dlirë
Shkuan të lënduarit
I hodhën peshqirë !!!
Pajtimi
Në largësinë midis stinëve
Lëkunden tonat mëri
Zbret nga lisharësia kokëulur pajtimi
Që vdes e ngjall një dashuri…
