Nga fshihesh?…
Të kërkova në vite,
si i marrë të kërkova,
nuk e di nga fshiheshe,
nga ç’ujra dilje,
në ç’ pyje cicërije
nuk lashë dreq e zot
pa pyetur,
diçka nga ti të dija,
ma kishe tradhtuar shpresën, varrosur në ëndrrat e virgjëra
dhe rruga zgjatej deri në dimrat,
aty ti fshiheshe,
ne shtëpizen e ndërtuar nga sirenat
që larg meje të nisnin.
Një jetë kërkuar,
è një dreq e di,
nga ti ke humbur,
nga fshihesh tani?.
..
Vajza shkodrane
Askush hala nuk ka mrri,
me kuptu ça ka speciale,
ani pse çka ban
asht krejt e natyrshme
……………….
Nadje,
para se me u çu te tjert nga shtrati,
ka shi oborrin e ka vadit lulet
I ka ba në xheze bakri,
babs,
kafen turke,
dhe i lutet mos me e ndez llullen.
Mandej ka nde teshat
në telat që zgjaten nga njëra kumbull tek tjetra,
è ka hap dyr e penxhere
me hy dilli brenda,
Mandej vishet shpejt e shpejt me nji fustan me lule,
i hyp biçikletës e zbulon shalte e bardha,
flokt e lshume lujn me erën që lehtë
flladit nga liqeni
Mandej,
zen vend ne klubin e Shirokës, me nji gotë venë përshëndet valët,
qesh me të madhe
(se ne Shkodër qeshet vetëm kështu)
me miket që takim kanë lanë.
Mandej nëse shef nji djal
e kyt
per dreq ja kane,
e ban me dit’ qe aty po e pret, ku krapi pjeket ne furra druni
e shishja e venes
nuk mungon
Mandej i duhet mu kthy,
nanen e babën me i qit der në pedonale,
nji kafe a nji birre
deri në orët e vona
të t’shtunës shkodrane …
Mandej bjen me fjet pa tekfil
se të dilen mundesh mu zgju pak ma vone,
do halloje me hagllaki petët
per byrekun me mish të grim
e do fergoje do njala të gjalla hala…
ndërsa gjyshja nxjerr nji shishe raki,
të fshehun kushedi ku
nëpër shpi…
Tash,
vajza shkodrane,
tana këto i ban aq natyrshëm sa aq bukur din me këndu,
me dasht e me puth
si nji Rozafe, si nji Drin e nji Bunë…
Të gjitha gati…
Nën hijen e stuhive krijova shtëpinë e kristaltë,
me mure të trasha malli të pashuar,
punova tokën e djerrë të mbillja një hektar me këngë
dhe një gardh ku lumturia të mbeshtetej.
Iu shmanga me djallëzinë e njeriut tinzar,
çdo lëkundje tërmeti që më afronte çasti,
ndeza vatren me dru lisash të gjatë,
dhe në prushin e tij pjek ekzistencën.
Pastaj krijova dy liqen me mjellma,
një lum me vërshim drejt perëndimit,
putha diellin me detin në skajin e gjelbërt,
dhe i thura vargje muzgut.
Çdo darkë në verandën e yjeve,
pija birrë e luaja në kitarrë
me një gjeth dafine fishkelleja këngën tonë,
e zogjtë i zgjoja nga gjumi çdo natë
Të gjitha ishin gati,
barka në liqen,
një tufë tulipanësh të bardhë
dhe krevati mbi ré…
Pres të vish ti.
T’a dish…
Nuk po të kërkoj as të pyes si je,
as t’a di ku je,
thjeshtë të marr vesh;
këtej nga kjo rrugë kur do kalosh,
kemi humbur nga sytë
e për njeri-tjetrin nuk pyesim më :
të paktën, si je me shëndet ?
Nëse këtej ka ardhë pranvera
e njerëzit qeshin pak më shumë,
t’a dish se në rrugën tonë
bliri sapo ka hedhur sythet,
… dikur ndalonim tek e jona pemë,
dhe nata na zinte të përqafuar.
Nëse ke kohë që këtë rrugë ke harruar;
t’a dish!,
sado që ka rënë shi
gjurmët e tua kanë mbetur akoma
mbi trotuarin e zhurmshëm
hija jote fshihet ende pas blirit plak
dhe në trungun e ashpër
ndjehet gjithmonë
përkëdhelja e dorës tënde te butë.
T’a dish,
ti them këto,
se të gjithë pyesin për ty…
