Tuesday, January 27, 2026
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me vargjet e poetit Fatos Luta

Çaste poetike me vargjet e poetit Fatos Luta

PRINCESHA E OBORRIT

Ai e skaliste në dru, tjetri me laps plumbi,
Në artin e tyre të merrte jetë kjo hyjneshë;
Teksa po i kqyrja, ajo qerpikët m’i shkundi,
Imagjinata e marrë m’skuqi vesh më vesh…


Drumjeshtrit i kërkova të më jepte sqepar,
Të gdhendja dhe unë germat e një poezie;
Princeshën e xhvesha që në vargun e parë,
Kur piktori gjinjve, me nge po u bënte hije.


Por unë nuk doja t’ua lexoja strofën e dytë,
Fillova t’i ndukja hundën nën ndjesi poezie!
Drugdhendësi punonte imët t’ia frynte sytë,
N’artin tim qenë mbyllur nën “oh” simfonie…


E kur ia nderëm bukuroshes këto vepra arti,
I puthëm dhe dorë si qokë e oborrit Mbret;
Ajo i shpërbleu artistët e i uron t’u ecte fati,
Mua më tërhoqi…t’i shkruaja strofën e tretë.

NË HIJEN E ATIJ SHELGU

Të largoja avull futa kokën nën hije,
Por papritmas m’shtohet zagoshia!
Një çupkë sybukur, veç po ta shihje,
Më beft si Diell tjetër nga Perëndia!


Nëse, nën flokët e shelgut të vjetër,
Ruajta kokën të mos më binte pikë,
Nga vapë e re s’kam shpëtim tjetër,
Veçse…t’i përhumbem nën qerpikë!

AJO VAJZË SI METEOR

Në tregun e veshjeve sheh lloj-lloj,
Bionde, brune…njërën e përlau syri.
E ndoqa, por më la me gisht n’gojë,
Në autobuzin e linjës sa shpejt hyri!


Thjesht doja të t’i bëja kompliment,
Për syrin e zi, që të përpinte si pus!
Për flokët lëshuar si pelikani pendë,
Për faqet si mollë Korçe e ato buzë…


Por më kish pikasur shejtanka, ndaj,
Hipi shpejt të shpëtonte nga ky hall…
Pa mëdyshje i hipa edhe unë pastaj,
Dhe ja tani jemi afër ballë-përballë!


Nuk e ngacmoj me vështrime zjarri,
Biles, lojta dhe indeferentin për pak…
Por, kur do zbriste bëhem si i marri,
I kap dorë: -Te Skënderbeu n’darkë!


-Ok, atje më prit!-e mollëza iu ndez,
Sikur pata prekur korent unë beqari!
Atë mbrëmje e prita deri n’mëngjes,
E çdo të nesërme si taksidar pazari!


Nuk e pashë më kurrë, por ky kujtim,
Për çudi më vinte ëndrrave në shtrat!
U dashurova, martova..ajo qiellit tim,
Vjen e ikën si meteor prapë se prapë…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT