N’buzën tënde
Si fllad trokita
Shijova mjaltin
Kurrë s’u ngijta.
N’gjoksin tënd
Me zuri gjumi
Fjeta ëmbël
Porsi pëllumbi.
N’syrin tënd
N’vesë notova
Mjellmë u bëra
Më s’fluturova.
Me balsamos dhe hesht
Dua të notoj në vargun tënd,
më trego ku e mban çelësin fshehur,
në fijen e flokut, në dekoltenë e hapur?
Endem, kalorës i magjepsur në poezi
të ta vjedh buzëqeshjen,
ta var si zile buzës së vyshkur.
S’dua që vargu shterp të mbetet,
kam frikë nga poezia e verbër.
Më jep çelësin të futem në oazën e vargut
dua te jem i burgosur
në fortifikatën e pushtuar,
lërmë aty, ma vë kokën në prehër
më përkëdhel me flladin e gishtave të tu
të dalldisen jashtë retë e mbarsura.
Më balsamos në shtratin e poezisë,
shëëët, hesht!
Bletët po zukasin.
Pse bëhem cikërrimtar
S’i shoh rrokaqiejt në xhep si futen,
Brigjet pa ura mbetur,
Uzinat që si kulla kartoni shembën,
E rrugët si kravata rreth qafës lidhen.
Tokat avullohen si pikla shiu,
Shkollat, spitalet si desert hahen
E unë… unë dua ta di
ku treti shurrë e pulës
a mos toka e përpiu vallë?
Kujt i mbeti në fyt kafshorja e krimit?
Si pllakë e grithur gramafoni kakaris
në tablatin e ditës
Pse bëhem cikërrimtar?
