Thursday, February 5, 2026
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me vargjet e poetit Xhelal Ademi

Çaste poetike me vargjet e poetit Xhelal Ademi

Ti mund të largohesh
Nëse mundesh të harrosh gjithçka tonën përmbi dhe
Gjithçka bëre e sodite gjithçka preke gjithçka pe,
Madje hapit përmbas shpine nëse mundesh t’i vëshë emër
E t’i ndrydhish njëmijë heshtje që të ecin nëpër zemër.

Nëse mundesh t’i vëshë fshesën gjithçka ishte jeta jote
T’hedhësh ndjenjën nëpër detra mes valnajës fuqiplote,
Nëse mundesh të rrëmbesh gjithçka tënden që më dhe
Dhe t’pështyshë nga ece dje për të hapur rrugë të re.

Nëse buzës i vë dryrin që t’mos shkrehet nëpër vaj
Gjitha puthjet t’ia shkëpusish mu aty tek cep i saj,
E t’i hedhish përmbanë qiellit ose djegish përmbi prush
Dhe e akullt t’i sodisish me atë sy të zi si rrush.

Nëse plagët mund t’i mbyllish t’arratisesh fare kot
Mbi karvanët e kujtesës mos ia beh ky qiell me lot,
Nëse mundesh t’mbyllish sytë nën qepalla kur të shkosh
Atëherë ndodh që të largohesh duke bartur shpirtin bosh…

MERR GJUMIN TIM E MBYLLI SYTË!

Nga larg më thua, m’ka ikur gjumi
Se s’mund ta ndalja pa frenj në dorë,
Kur loti mbyti ca ura lumi
Në breg të shpirtit po binte borë.

Me digë qepallash se mbaja lotin
Prandaj e mbusha një det të tërë,
Veç pak më thua, ta njihja notin
Drejt teje rrugën do kisha bërë.

E ndjej që sonte t’ka mbytur shiu
Dhe t’solli ngrica mbi ca kujtime,
Ndaj t’lutem, gjaku nëse të ngriu
Merr hisen tënde nga zemra ime.

Dhe flej e qetë se vonë u bë
Po vjen e dehur një natë e dytë,
Por nëse gjumi s’afrohet më
Merr gjumin tim dhe mbylli sytë…

“Çudi”

Vazhdoj të pres dhe sa jam lodhur
Ca re të zeza mbi qiell po rrinë,
Me ty nuk flas, ah çka ka ndodhur
Mbrëmje heshtake ngrysur më vijnë.

Vazhdoj të pres e çastet shkojnë
Çudi s’të them sa jam mërzitur,
Ka kohë që trenat këtu s’ndalojnë
Më kot po çmendem duke të pritur.

N’këtë stacion të bërë prej reje
Zhagiten pritjet ndaj kjo më vret,
Patjetër t’nisem pas një rrëkeje
Se ku ta di… më çon në det.

Dhe dal tek bregu ku ti mbi gurë
Ke çmendur valët dhe nuk e ndjen,
Sa luftë të bëshme këtej ke prurë
Aty pas shpine ngadalthi t’vjen.

Ah ç’nisa luftën nuk bie Troja
Ka ngul legjendat thellësisht në tokë,
Mbi kalë prej druri s’u bëka loja
Pa pas ndjesitë dhe mendtë në kokë.

Ti brenda saj qëndron robëruar
Rënkimet terri t’i ka mbështjellë,
Ndaj kurrë s’do thoja që jam hutuar
Dhe rri mëkot nën këtë kështjellë.

Sepse ku t’ik… ta lë vetmuar
Vështrimin muresh prandaj e mbaj,
Në fakt, nuk di ç’kam dashuruar
Vetë tragjedinë… a sytë e saj…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT