Zotëron një buzëqeshje
që anon më shumë
nga ironia e fshehur
dhe mban mbi kokë
një kapelë që ia fsheh thinjat.
Është pak t’i thuash
se i ngjason sherifit të natës
megjithëse ka disa
që i kundërshtojnë
hipotezat e mia.
Por sidoqoftë
portreti i një hëne
që lëviz nëpër qiell
dhe pamja e hijshme e saj
m’i heqin në çast
dyzimet e vjetra.
Madam Hënë
i them unë
me qetësi dhe siguri
për t’u lëvduar
nëse ti ke lindur për të qenë
mbretëreshë e qiejve
dhe e natës
mua më takon të bëj pjesë
në pyllin e heshtur
të ëndrrave.
Për gjëra të tjera
mund të flasim më vonë
tani për tani
nata ka për detyrë
të mbajë të fshehtë
sekretet tona
të tjerat vijnë më vonë.
Më pas hyj në qytetet e gjumit
dhe madam Hëna vetëm tund
kokën e saj të bukur
mëngjesi që pritet
do dhe ca orë të celebrohet…
……………………………………………………………………….
Hapi sytë o sy
dhe digje përgjumjen
gjithmonë të kam thënë
se nuk duhet të ngutesh
dhe nga një re endacake
s’mund të bjerë kurrë shi
Mbrëme pashë në ëndërr
sikur po flisja me marsin
dhe frymëmarrja e gjetheve
m’i kish bërë më të gjelbra
mushkëritë
Hapi sytë o sy
se ky dimër pabesisht
mund të na ngrijë
………………………………………………………………………………….
ËNDRRAT E PËRMBYSURA
U përkundën ujërat
u përkundën bashkë me ta
edhe rrathët e dritës shoqëruese.
Në pasqyrën e turbullt të valëve
befas pashë portretin demoniak
të mosarsyes që më ngërdheshej.
Ishte natë
dhe ujërat pafajësisht
shkëlqenin nga dritat.
Me pas edhe ata e humbën atë
o Krisht thash me vete
kaq e fortë qenka
mosarsyeja e arsyes
edhe mbi dritën?
Të nesërmen kur u gdhi
pash se si ëndrrat e mia
të përmbysura
ushqenin peshkaqenët..
