ORA ME AKREPA TË THYER
Në kujtim të miqve të mi, poetëve boemë,
Mirko Gashit, Tahir Deskut dhe Nehat S.
Hoxhes
Në rrugën poshtë Katedrales së Prishtinës
Artistët e lodhur i ka zënë gjumi
Me ballin e mbështetur në cepa tavolinash
Vëzhguesit policorë kot e bjerrën ditën
Duke dëgjuar tingëllimën e fjalëve të largëta
Për Pjetër Bogdanin a për zogjtë e Stimfalisë
Kafenetë janë varrosur e kujtimet krejt zbehur
E letrat e zhubravitura në qiellin plot ëndrra
Fluturojnë si zogj të trazuar
Me shpirtin e derdhur fjalëve pa rend
Hajde ta çojmë nga një për fundin e gëzuar
Të tjerët ikën me disiplinë pedante
Teksa lanë anash patrulluat e lodhura
Që presin gatitu të vjellin zjarr prej tytash
U bë vonë e ndër qepalla gravohet
Ora me akrepa të thyer
Është kohë pushtimi apo fillimi i rënies
Së atyre që erdhën me helmeta të rënda
Për ta shkelur qelqin e këngës së boemëve
Jashtë po bie borë e rrugët janë zbrazët
Ngricat e harresës tashmë e mbuluan një stinë
Gëzuar se fundi do të jetë i gëzuar
Edhe nëse bulojmë si lulet e dhembjes
Në rrugën poshtë katedrales së Prishtinës
Brenda kopertinave të kujtesës është mbyllur një jetë
Plot zjarmi plot duf plot etje plot angështi
Gëzuar se fundi do të jetë i gëzuar
Së paku jetën ta bëjmë poezi
……………………………………………..
KËNGA E QENVE ENDACAKË
Ne nisemi në marsh nuk e dimë se ku
Jemi krijesa të zotit, qenie të pazot,
Nuk e dimë as vetë si mbetëm këtu
Rrugëve të këtij qyteti të bredhim kot.
Ç’e iritojmë kryetarin në vendin e punës
Megjithëse na ka bashkëqytetarë,
Kur hop të pasmen te mur i komunës
E çojmë e me shurrë e spërkasim mbarë.
Çka janë truprojat nuk e marrim vesh
As kush vjen rrugës përmes rrëmetit,
Me qef bëmjë seks te pisha në shesh
Pa turpin se na sheh presidenti i shtetit.
Nuk kemi duar as banjo të pastrohemi
As t’i krehim leshërat si zonjat delikate,
Çkado që të ndodhë të parët trazohemi
Ndaj lehjet tona zbrazim pas mesnate.
Ne përzihemi me hov rrugës kryesore
Ku rendin tregtarë, artistë, shkëncëtarë,
Onomatopesë ritmin ia mbajmë prore
Pa kakofoni si disa kuvendarë.
Nisemi në marsh, endacakë të përjetshëm
Hamë bukën e hedhur e lehim me dashuri,
O nuk i kuptojmë njërëzit e pandershëm
Si kopjojnë shprehitë tona me aq paturpsi!
…………………………………………
TUGJARET PATRIOTIK
M’u mbush mendja a jam andërr
Me kandarin tim politik,
Nuk ka n’botë kush mund shqiptarët
N‘tugjaret patriotik?!
Dalin trimat me shitë luftën
Turren tutsat m’e ble për veti,
Kush luftoi e kush iku
S’i fsheh mali s’i lan deti!
Ama k‘tyre t‘logjistikës
Asnjë qime s’iu shkoi huq,
Me parulla e me fjalime
N’kry t’shtetit hynë gogluq!
Kompensuan patriotizmin
Sikur rrushin „okë për okë“,
Tek sa gërryen Kosovë shkretën
Sa për veti aq për shokë!
Kush kujton parulla t’vjetra:
„Për Kosovë japim gjithçka!“,
A mos prisnit se tugjarët
I bi‘jnë ujit „va pa va?
Po të njëjtit që panë luftën
Nga kolltuqet në ekran,
S’ia lanë centin në arkë shtetit
Tuj marrë rrogë si veteranë!
Kur s’ban punë patriotizmi
Bie për toke tugjareti,
A s’i shihni prapë tugjarët
Fyt për fyt kapen ndër veti?!
E ndër shtigjet e pushtetit
Nuk i sheh kush dy shqiptarë,
T’i urojnë njani-tjetrtit
Me gjithë zemër punë të mbarë!
