POEZIA NË BURSË
OSE
ËNDRRA ME VARGJE DHE DOLLARË
Sot pati sërish lëvizje
Në bursë
Pasuria ime nuk është
Sa e Bezos, Bill Gates, Zuckerberg
Është sa e të gjithëve bashkë.
Se sot pati sërish lëvizje
Në bursë
Nafta ra
Ari ra
Interneti
Kriptovalutat
Të gjitha ranë
Vetëm shpirti u ngrit në bursë
Me produktet e tij
Fjalën, dashurinë
Dhimbjes iu ngrit vlera
I shkoi lart
Aq lart sa i pasur
Është vetëm ai që ka dhimbje
Që dashuron
Që fluturon
SA SHPEJT MË HARROI NANA
Nana sot e ka datëlindjen
U bë katër vjeçe.
Sa ngadalë u rritkan të vdekurit.
Ajo tash atje është fëmijë
Prindërit e mbajnë për dore
Edhe andej si dikur
Këndej.
Vrapon pas fluturave
Mbledh lule
Sa shumë i donte Nana Lulet
Edhe emrin ma la Lul
Gati sa ma la Lule.
Nana i ka katër vjet
E ende nuk flet
Sa herë shkoj n’vorre.
Sa ran ish
mos me u përgjigj Nana
kur e thërret.
Mundohem me e mësu
Edhe njëherë me fol prej fillimi
Si ajo mua dikur.
Është llastu
Dhe gjithë ditën rri
në prehen të Nanës s’vet
Jam idhnu me ty Nanë
Dije.
Qysh pse?
Kur të vij atje të kallxoj
Ncncnc
Sa shpejt m’harroi
AKULL DHE DASHNI
Për Zotin
Për Ty
Për kry t‘vargut
Nuk e di
Kam rrëshqitë
N’dashni si në akull
Apo kam rrëshqitë
Në akull
Si n’dashni
TY
Kryq para Djallit
T ‘kam vnue
Me m ‘dashtë
Me m ‘mbrojtë
Me shpirt
Me trup
Me m’mlue
EH
Dreqi ti
Si se kap dashurinë
Që ta hodha në ajër
S’e di ti
Sa lehtë e ke
Me m ‘përpi
Me një frymëmarrje
PËRSERI
Dreqi ti
Dashuria ka metastazu në ajër
Veç vonim
Se p‘shtim nuk ki
Dije
PIROMANE
Më ke ndezë
si zjarr
dhe po ngrohesh me mua
mbaje mend
vetë ke me u djeg
me sytë
me buzët
tua
ATA MË THANË IK DHE UNË IKA
Kokën time të prerë
Në dorë ma dhanë
Dhe thanë
Ik!
Zorrët m’i nxorën
Dhe me to
M’i lidhën këmbët
Dhe thanë
Ik!
Mbusha xhepat
Me gjak
Valixhet me gjymtyrët
e mia dhe
IKA
PAKETIMI I MERZISË
S’ka faj Nana
Kur thotë
Hiqu andrrave se
T’i lujnë mentë prej kresë
Gjithë natën mbramë
Paketuam mërzi
Në do thasë najloni
E hamajtë e zi i ngarkonin ato
Në anije
Dhe më asgjë nuk di
Deri në mëngjes
Kur thanë
U idhtue Deti
ETHET
Hartë e dhembjes
Shfaqur në buzë
Nëse mund ta lexosh
Rrugën nga do të shkosh
Ethet e forta
të ftohta
të zjarrmisë,
Ethe të gjalla
Ja ku më janë shfaqur
Por ti s’ke faj
që nuk mund ta lexosh
Artin absurd
të vijave në buzë
VARJA
Haku
I hakut t‘gjakut
Gjaku
I ligshtë
Konopi
I Fortë
Laku
