Sunday, December 28, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poetin Xhevat Dajaku

Cikël poetik me poetin Xhevat Dajaku

Rrugës binte borë
Unë ecja i heshtur rrugës pafund,
Dhe bora e heshtur binte pa nda’,
Rrugës blerimi nuk dukej askund,
E ftohta në t’bardha mbretëronte gjithkah!
Bjer, o borë, e gjurmën mbuloje!…
Gjurmën e vuajtjës se një zemre,
Kur të vjen behari gjurmën zbuloje,
Gjurmën e jetës që trembe!…
Rruga ngushtohej e bora ngjitej,
Ecja më bëhej edhe më e ngadal’,
Kur dyshimi filloi të më rritej,
Pa pritur m’u shfaq afër një zjarr!…
Një zjarr që e kishin ndezur trimat,
Në atë mëngjes dimri në fshat,
Dhe zjarri zhurmonte si bubullimat
Koka më djersinte mbi një cung të thatë.

……………………………………………………………….

Cikërrima


Derë më derë e rrugë më rrugë
Mbushet jeta plot – përplot,
Në çdo vend nëpër botë
Si dje shtresat, edhe sot!
Shihen, ndahen me modele,
Herë të heshtura e herë n’rrëmbim,
Dje e sot dallohen shtresat
Gjithandej si n’vendin tim!
Perëndia kreu punën,
La njeriun mbi të tjerë,
Po njeriu – ambicziu
E bën copa gjithë atë vlerë!
Sa e ndan, e pispillos,
N’gjyra, n’fe e në cikërrima,
Ky njeri, krijesë mbi vlera,
Sa bën dëme e poshtërsina.
Ka dhe t’mira pakufi,
Rreth e rreth sferës sonë,
Ditunitë që shërbejnë dritë –
Gjithësinë e gjurmojnë…

…………………………………………………….

Fiksimi


Ma zë rrugën pandërprerë,
Si magji më del në shteg,
Edhe n’ëndrra më përdredh,
Më ndrydh, më shtyp, më djeg!
Buzë një uji si brengë rrin,
Ujë i madh, me shumë valë,
Valë të larta që t’përpijnë –
Të fundosin me gjithë mall!
Por s’dorëzohem as nuk ndalem,
E pres ëndrrën n’tjetrën radhë,
Kujt në botë nuk i falem,
Si unë kush s’të sheh të gjallë!…
Pastaj ndodh si në ‘luftë prapë,
Luftë e tmerrshme, pa logjikë,
Dhe i njehi t’rënët varg:
Therrnin tinëz – mshef e ik!
Kjo s’më hiqet, kjo m’është pjekur,
Sesi njerëzit shembin botëra,
Ndihem shpesh kufomë e djegur
Prej ju – qenieve më të poshtëra!

…………………………………………………………………………..

K’shtu u ndamë


Keq për njerëzit kur më the,
Të shikova gjer në asht,
Dhe të thash që s’po me njeh:
S’më pëlqen ai llaf i mbrapshtë!…
Kur më fole keq për miq,
Drejt në sy prapë të pashë,
Kështu flasin njerëzit e ligë,
Goxha ashpër ty ta thash!
Si s’u ndale me përgojime?!
S’mund të ndalja asesi!
S’duroi më kjo zemra ime –
Mbetem largas unë e ti.

…………………………………………………………..

Në kërkim


Dola n’kodër për më t’pa
Ty, moj erë, që zhurmon malit.
Ikje vjedhurazi krahë tuj rrah,
Si një zog që ik prej mallit!…
Dola, u ngjita sa më lart,
Për më pa atë gjurmën tënde,
M’shkrepke ndjena – diell i zjarrtë,
Kur i shihja ato vende!
Dola rrugëve, urave, brigjeve…
Për ty pak më marr vesh.
Përgjatë jetës eci shtigjeve –
N’fund do t’pres tek njëri shteg!
Eh, kështu e ka kjo jetë:
N’shteg fillon e n’shteg jet’ varë!
Nganjëherë si lumë i qetë,
Ma shumë herë si dem i marrë!.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT