Të luftosh me veten
Në heshtje më shfaqet hija e mendimit,
që shpirtin ma djeg si flakë e ndezur..
më thërret drejt humbjes, drejt shuarjes, zhgënjimit,
por unë ngrihem lart mbi botën e fjetur.
Dy rrugë më ndajnë, mes dritës e ndryshimit;
një zgjedhje e brishtë më flet si mister..
më duhet të thyhem për të gjetur shpëtimin,
të luftoj me veten, të rilind e sinqertë.
Në shpirt ka stuhi që kurrë s’pushojnë;
me veten ndeshem si armik i fshehtë;
dy hije brenda meje vazhdimisht luftojnë,
njëra më ngre lart, tjetra poshtë më tret.
Çdo hap i imi më çon drejt kryqëzimit,
mes ëndrrës së pastër dhe zërit të jetës..
kuptoj se fitorja qëndron në pushtimin,
e ndjenjës së frikës drejt së vërtetës…
Dialog me veten
Kush je ti që më sheh në sy,
kur bota hesht e ëndrrat s’flenë?
Je hija ime në dritë e terr,
apo vetvetja që nuk më njeh?
Kush je ti? Një unë pa trup,
një shpirt që endet në ëndrra e fjalë,
në çdo frymëmarrje më bëhesh strehë,
e kuptoj s’je tjetër, veç unë real.
Kush je ti? Një unë më i thellë,
një zë që s’pushon, s’ka emër, as moshë,
më flet me shpirt, jo me germa në letër,
një unë pa maskë që s’fshihem dot.
Dashuri vjeshte
Frym’ që shkon larg në pritjen e fletës,
mbart heshtjen e dritës në largimin e saj..
një tingull i gjatë në gjurmën e jetës,
përthyen kujtimin që shuhet në faj…
Jehonë e thellë në zemra të mbyllura,
ku shpirti flet butë me zë prej stuhie..
një rreth që ndalet në portat e çelura,
por lind përsëri si ndjenjë dashurie…
Në ikjen e fundit ndriçon prapë mëngjesi,
e dielli shkëlqen mbi gjethet e arta..
si koha që mban aromën e stinëve,
dhe malli mbetet në zemrat e zjarrta…
Ju them të vërtetën
Ju them të vërtetën, pa shumë zbukurime,
Edhe kur shpirti dridhet nga pesha e saj..
Se jeta s’ngrihet mbi mashtrime e trillime,
Por mbi gurë të fortë, që s’rrëzohen e të mbajnë.
Shumëkush më sheh si njeri që s’duron,
Si stuhia që thyen dritare pa mëshirë..
Por më mirë nje shi që pastron horizontin,
Se mjegull që mbulon të drejtën me errësirë.
Nuk bëj kompromis kurrë me të padrejtën,
Se gënjeshtra helmon, ngadalë, çdo shpresë,
Ju them të vërtetën, e hidhur le të jetë,
Por zemren ma mban gjalle e se le të vdesë.
Ju them te verteten s’di ta mbaj në grykë,
E lëshoj si shkëmb, që bie nga mali.
Më mirë të thyej maska, që fshihen e s’duken,
Sesa të ushqej me kurthe helmin e djallit.
Nuk e laj gjuhën me mjaltë të rremë,
As nuk përkulem drejt turmës që qesh..
Se fjala e drejtë ka shpatë në trup..
E frika s’më ndot, ndershmërinë ta kem.
Ju them të vërtetën , kushdo le të digjet,
Nuk shes ndërgjegjen për paqe të kotë..
Më mirë e vetmuar, por kurrë e rënë,
Sesа të humbas dritën në Zot….
Ju them mirëmëngjes
Ju them mirëmëngjes, mos kini ngut.
Dita është pasqyrë ku shpirti reflekton.
Çdo hap i menduar s’është kurrë i humbur.
Kush zgjohet me dritë, më shumë jeton…
Ju them mirëmëngjes, kujtoni lirinë.
S’matet me ar, as me gjë të blerë.
Është fryma që ndriçon mendimin e lirë.
Dhe zemrën e mëson të dojë çdo herë…
Ju them mirëmëngjes, me zërin e qetë.
Çdo ditë është udhë, jo thjesht kalim.
Në mendimet tona gjejmë të vërteta.
Në çdo mëngjes fshihet një fillim…
Ju them mirëmëngjes, me buzë të qeshur.
Koha s’kthehet, ndaj duaje sot.
Në mendje e shpirt bashkohet shpresa.
Dhe dita nis me hap të plotë…
Gratë shpirtlira
Ato ecin zbathur mbi gurë mendimesh,
me krahët e hapura drejt qiellit të lirë…
S’lidhen me pranga prej fjalësh të zbrazëta,
janë zëra që degjohen edhe në errësirë…
Sytë e tyre s’kanë frikë prej gjykimeve,
as vargonj që t’i mbajnë fort të heshtura…
Janë zëra që thyjnë e ruajnë kufijtë,
si fryma që lëviz hijet e fshehura…
Gratë shpirtlira janë shpresë që frymëzojnë,
Femrat që jetojnë nën hijen e frikës…
Ato tregojnë se guximi lind jetën,
dhe zemra e lirë ndriçon vetëm prej dritës..
Nuk e matin veten me syrin e botës,
as me peshoren e fjalëve boshe…
Me hapa të qeta lënë gjurmë për të tjerat,
dhe ecin përpara si udhetare të ëndrrës..
