Wednesday, December 24, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me vargjet e poetes Manushaqe Hoxha Laçi

Cikël poetik me vargjet e poetes Manushaqe Hoxha Laçi

Kështjella e dashurisë!

E kisha të fortë kështjellën e zemrës
mbi themele të thella e mure të larta.
Isha vetë luftëtare në betejat e jetës
si prijëse ushtrie në rradhët e para.


Në kështjellën time të ngritur me kujdes
ku nuk mendoja se mund të futej njeri.
U lëkundën muret një të bukur mëngjes
kur në kalldrëmin përballë po kaloje ti.


Ia hapa kështjellës dritare e porta
çelësat i hodha diku mes kaltërsisë.
Kur ke lumturinë e jotja është bota
ngremë dolli për triumfin e dashurisë.


Nuk u pendova për kështjellën e humbur
iu dorëzova ndjenjës me gaz e dëshirë.
Të jem pëkrah teje është fitorja më e bukur
ku mbretërojnë zemrat nuk ka më mirë!!!

Rrugëtim…

Herë ndihem si sorkadhe
Herë si shpend në mërgim
Herë ajër i pastër në male
Herë errësirë pa mbarim


Herë buz’agim pranvere
Herë shkretëtirë e zhuritur
Herë si perëndim në dete
Herë… lodhur…raskapitur


Herë frymoj si syth’ i parë
Herë si bar’ i thatë i shkelur
Herë gjethe vjeshte e tharë
Herë gonxhe e sapo çelur


Herë si rrezja e pranverës
Herë flutur flatërkëputur
Herë refren i muzgut t’verës
Herë si hëna në re e strukur


Herë bletë që thith nektar
Herë gërryer nga rrebesh’
Herë nga lot’ gëzimi qarë
Herë zemërvrarë buzëqesh

Dhurata e nënës!

Ma dhurove rrezen e diellit edhe kur ishte e fshehur pas reve
Edhe në netët e mia më të errëta më dhurove yje e hënë
Më mësove si ta dua jetën në të gjitha sekondat e saj pa mistere
Kuptova që nuk ka paqe e qetësi si në prehrin tënd të ngrohtë, nënë!


Më mësove si ta dua çdo filiz që lind e petale që shpërthen
Të dua gjethen e zverdhur, degët dhe kërcunjtë e thatë
Më edukove të vlerësoj një pikë ujë në gotë dhe shiun kur bien
Të di rëndësinë e një kokrrize kripë apo një pike mjaltë.

Madhështia e dashurisë

Kërkova për madhështinë e dashurisë në petale lulebore
Kërkova në magazina e në rafte të rënda marketesh
U ngjita në malet e thepisura të mbuluara prej dëbore
U zhyta në dallgët e fuqishme mes shkëmbinjve në brigje detesh


Kërkova në reklama televizive, postera e biblioteka
Kërkova në kodrina e lëndina të mbushura me gjelbërim
Ah, madhështinë e vërtetë të dashurisë askund s’e gjeta
As në netët e qeta me hënë apo diellin që lind në agim


Kisha dëgjuar që është më e bukur se dielli i majit dhe lulet e qershisë
Më e ëmbël se mani i pjekur dhe mjalti që mblidhet në hoje
Kërkova por se gjeta madhështinë e vërtetë të dashurisë
As në rrënjët e lisave apo këngët magjiplote të zogjve


Kërkova në tokën që etshëm pinte ujë pas thatësirës
Doja të freskohesha në burimin e mjaltuar të dashurisë
Nuk e gjeta as në diellin që përvëlonte mes shkretëtirês
As në ylberin që i buzëqeshte qiellit pas shtrëngatës e stuhisë


Kërkova në ngricën e dimrit që i përulej zjarrit të ndezur në vatra
Në agimlindjet që na përkëdhelnin në mëngjeset e shpresës
Nuk e gjeta as në perëndimet e mbrëmjeve të zjarrta
As në shijen e gjitha frutave apo bukurinë e luleshqerrës
…….
Në zemrën e nënës është kështjella e dashurisë
E bukur, e paprekur, që nuk i nënshtrohet kohës
Burim i përhershëm i pashtershëm i dashamirësisë
E pakrahasueshme, mbi të gjitha mrekullitë e botës

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT