UNË DHE POEZIA
Poezi e bukura poezi
Këmbëkryq ulemi e çiltër kuvendojmë të dy
Orëve më të dremitura të natës, në oazin tënd
Frymëzimin më rrëmben, si me magji !
Unë të fle dua ! – Ti, zgjohu më thua !
A nuk më dashuron ti vërtetë mua ?
Zgjohu..! – Tani është koha, bukur për të shkruar
Dhe hëna hap sy, vështron e botën mban ndriçuar !
E bukura poezi, “kuçedër” e pangopur që të grin
Ti kërkon nga unë, vargje kristal si lumi Drin
Ndonjëherë dhe me nxitim…, vargje dedikim
Se jeta mbart mbi supe, gëzim dhe hidhërim !
Me endje i thur vargjet, obligim kam për ty
Hape portën, brenda dua të hyj tek ti
Në kopshtin tënd aromatik, plot ngjyra e ndjesi
Mbushur me gonxhe, dashuri e plot fantazi !
E bukura poezi, unë botën sjell tek ti
Këngët e bukura të zogjve, bilbilëve pa mbarim
Jehonën e motrave, e vëllezërve në mërgim !
Botën e së ardhmes, ku një ditë dielli lind e ndrin !
Ti sjell botën e shkencës, artit e kulturës
Gjithçka sjell tek unë e pres me pa durim
Ti sjell pranverën e bukur, jehonën e këngëve
Ti sjell botën e ëndërrave në shpirtin tim !
Me vargjet e thjeshta, rrjedhur si ujvarë
Dashuri shpreh, shpresë pa mbarim
Ditë e natë këndoj për djemtë e vajzat e bukura
Për njerëzit e mrekullueshëm të vendit tim !
Poezi e bukura poezi
Të dashuruar të mbetemi unë e ti
Përmes vargjeve të mia e arterieve të tua
Njerëzimit…, botës ti falim Dashuri !
BOTA NË DILEMË
Në dilemë ndjehet bota sot
Nga një i çmendur, që pjell çdo ditë çmenduri
Me çmenduri kërcënon Paqen në botë
I çmendur që nuk ngjason me emrin njeri !
Vetëm një i çmendur, rrënon Paqen mbi Tokë
Rrënon qytete, vlera…, masakron gra e fëmijë
Shpirt zi, që kërcënon Lirinë në botë
I çmendur që kërkon, Perandori në këtë shekull të ri !
Nga një i çmendur, – Paqja në rrezik
Toka digjet, bëhet shkrumb e hi
Nga një bandit – vrasës, bota në panik
Vrasës i çmendur, i pa shembullt në histori !
Në ankth bota e njerëzimi sot
Në pasiguri e ankth të vërtetë
Një shpirt zi i etshëm për krime e mort
Provokon të ndez, Botëroren e Tretë !
Të mallkoj, nuk është në zakonin tim
Do thonë je bërë si mallkonjëset e këqija
Kur dëgjoj qyqen, që për lot nënash qan e vajton
Me zemër të them : – Vrasës të mallkoftë Perendia !
MOSHA DHE DASHURIA
Thonë që dashuria nuk njeh moshë
Kështu mendova dhe unë në të vërtetë
Sa i tregova dikujt vitet e rrudhat në ballë
Pa gjurmë iku, siç ikën një fllad i lehtë !
VESHJA DHE BUKURIA
Le të vishesh bukur sa të duash
Madje firmato e kurorën përmbi kry
Nëse s’ të ndrit në shpirt dlirësia
Humbet dhe të paktën bukuri !
Ndaj nuk të zbukuron veshja, as kurora
Makiazhi apo fallciteti tek fytyra
Të zbukuron mendja e çiltërsia
Bukuria që t’ ka dhënë natyra !
TRANSPARENCA
Çdo gjë në këtë botë është tjetërsim
Askush s’ mbet i porsa lindur në këtë jetë
Siç rrjedh uji i krojeve, rrjedhin e ikin dhe vitet
Më se njerëzore, të tregohesh fytyrë – vërtetë !
Thinja e rrudhat në ballë janë fisnikëri
Lum ai që tregon dlirësi e fytyrë të vërtetë
Vitet ikin duke vrapuar njëri pas tjetrit
Askush s’ mbet i ri, si në moshë të njëzetë !
Ndaj të mbartësh thinja e rrudha është fisnikëri
S’ ka më bukur të tregohesh fytyrë – vërtetë
Ligj natyre për të gjithë ky vendim jetësor
Askush s’ mbet pa ik në moshë të tretë !
Shkas këto vargje, – kërkesë për miqësi
Hyra në profilin e saj dhe të tij
Gërmova gjer në fund të shoh diçka me vlerë
Asgjë saktë ! – Vetëm fytyrë fallco e lakuriqësi !
ERDHA
Erdha…! – Erdha të dashur miq
Sa shumë më keni munguar
Pa ju, dhe në verë i acartë është moti
Si rrugë – baltë, asfalt pa shtruar !
Se pa miq e brishtë është jeta
Si një pemë pa fruta e trup – lig
Thënë kot, nuk është nga të parët
Një mik vlen më shumë se një çiflig !
Çifligjet shiten e blihen një ditë
Plaçkë tregu që vlera u ndryshon
Miqësitë e vërteta, si tund paraja as fjala
Shtylla të hekurta, ngulur në beton !
Miqësitë janë pasuri përmbi pasuri
Të gjenden pranë në gëzim e hidhërim
Me kurajo e forcë të mbushin shpirtin
Ecjes së jetës, të japin shtytje pa kthim !
Miqësitë janë si lulet më të bukura
Pa aromën e tyre, s’ quhet e dalë pranvera
Qiellit me re, dhe dielli e humb shkëlqimin
As drit’hënë nuk ndriçon në të sajat vlera !
Ndaj miqësitë janë pasuri përmbi pasuri
Pasuri që kurrë s’ ju humb vlera
Me dritë dashurie të mbushin shpirtin
Me petkun e luleve që sjell pranvera !
Me zemër ju falem e përulem
Që shpirti nganjëherë vishet në mangësi
Gjer lart në qiell lutem tek Ai☝️
Për shpirtmirësinë tuaj, plot dashuri e dlirësi !
