NË TEMPULLIN E KOHËS
Në tisnajë, lbyrje drite dhe anasjelltas
koha rrjedh
Në cirkuit janë ditët
shtjellë në rrotullame dhe pastaj
na shpien në një breg tjetër të çuditshëm
aty ku na pret një sfinks
gati për të na gëlltitur
sepse misioni ynë mbaroi…
A nuk e dëgjon këngën e kukuvajkës mbi degë?!
Kurbani i radhës është vetë koha.
Ne që duam të vdesim?!
Vetëm një statujë pa kokë mund të jetojë.
Ngjashëm do të jeni
kohës që shkon pa fre
dhe asaj që vjen pa pagëzim.
Pjalm që fryn mbi statuja
dhe që i pështjellon era bindshëm
janë minutat, orët, ditët pezmim
të cilat duhet t’i ngjizim
duke bashkuar buzëqeshjet e kthjellta, intime
me hematomat e ngjarjeve
që kaluan pamëshirë mbi trupin tonë…
Duke mbetur qënia jonë e plazmuar
midis dhimbjes dhe gëzimit trofe
midis helmit dhe dashurisë në shpirt.
Dhe statura jonë duke jetuar si një pemë e brishtë
e kopshtit post Eden
ashtu siç e parashikuan profetët
dhe ne që i falemi kohës
në tempull çdo ditë…
GRUA, TI KE NJË EMËR !
Ti u linde për lindje të tjera
fillesë, qelizë ku tharmon jeta
Ëndrra më e bukur për të jetuar
për çdo burrë që dashuron
Këngë e re, e panjohur
që do të këndohej nga buzët plot zjarrmí
në një shtrat të hijshëm, plot lule.
Ti je kryefjala
në kumtin e ditës që fillon
në strehëzën e dashur ku jeton dhe burri, fëmija.
Thirrje që gufon nga gjokset e dhembjes
Hera – herës bëhesh flakë që ndez
çdo aventurë, çdo pasion
Disa herë si një valë me zhaurimë
shuan çdo xixëllimë ku do të mbarsej urrejtja.
Ti nuk je një urë e sajuar për të tjerët
ku kaluar mund të kreshpërohet dhuna, poshtërimi.
Sepse ti je një krijesë e dashurisë
Dhe dashuria nuk mund të shtypet.
Ti nuk je një stoli që shkëlqen
e mbyllur në një vitrinë
ku para saj sodisin kureshtarët.
Ti u linde për lindje të tjera.
Ti ke një emër
thellësi misteresh nëpër botë të reja.
Grua, ti ke një emër
Ti i ngreh stuhitë dhe i shuan ato
me një grimasë, me një gjest të thjeshtë.
Dhe fuqia jote
përkthehet përulësisht
në një puthje, në një përqafim të përndeztë.
Në prehrin tënd të paqtë
ku flatrat e një zogu nisen në fluturim.
Grua!
Ti ke një emër!
NË THEMELET E DASHURISË
Erdha në jetë si një rënie bryme
kur natës së lagësht
diçka do të lindte.
Askush ishte emri, gjaku që lidhej me të
Asgjë ishin bëmat që kishin histori në vatër
Të tjerët krijonin botën për veten e tyre
Erën e mbështillnin si shall mëndafshi në qafë.
Diku larg duhej të takohesha me ta
në trafikndarësen e ditëve…
Kishte shumë plojë në gjurmën e parë që lindi
Më kish rënë sysh ajo që vinte
Unë po hidhja një armaturë me lëngun pa ngjyrë të jetës
kur ngriheshin skela gjigante drejt ajrit.
Unë sa një hiq, një grimcë pluhuri
materie e mbështjellë me pelena ëndrrash
në themelet e një dashurie po hetoja veten.
Nuk kisha rënë pa lindur akoma
po prisja kohën boheme
të rilindte flatra qiejsh
sa herë toka më ngulte prej rrënjësh…
Në një gorgë të madhe toka u përpí
aty ku kisha një gur për të themeluar
aty ku priste Hefesti, Farkëtari i Vullkanit
sepse diçka e madhe do të lindte
në themelet e dashurisë
ajo që se kishin parashikur orakujt…
Unë me hipnozën time në qelizë
prisja ndryshimin e madh të botës
të asaj që do të më shihte me sy ciklopi.
E unë sa një larvë duhej të mbijetoja
Diku thellë, thellë
duhej të merrja fuqi.
Nuk i pashë kurbanët që u therën për mua
Mbase kjo ish një ëndërr që kurrë s’e pashë
dhe kurrë s’ia besova vaut të jetës.
Aurën time të lindjes e vendosa si bekim
natës kur këndohej një himn
në themelet e dashurisë…
