Saturday, April 11, 2026
BallinaVitrina e libritCikel poetik me vargjet e poetit Nikollë Loka 

Cikel poetik me vargjet e poetit Nikollë Loka 

Përtej fundit të botës

Përtej fundit të botës,
atje ku përfundon horizonti,
e më përtej s’ka asgjë,
mendja ma thotë,
ka diçka,
thonë se atje qëndron zoti,
po atje s’shkohet
as me këmbë,
as me krahë.
Përtej fundit të botës
s’ka pamje,
për atë hapësirë
hapërdarë,
për atë qiell iluzionesh
copa ndarë.
Për atë botë pa halle,
ku s’shkon dot,
nisesh në mëngjes,
pendohesh në mbrëmje,
lodhesh kot.
Përtej fundit të botës,
do të arrish
si një mungesë e madhe,
si një harrim
që s’gjen prehje këndej.
Andej
zhgënjim është çdo pamje,
s’ka as ëndrra as qiej.

Kohë që të mban para pasqyrës

Çdo çast përbëhet prej dallgësh e prej brigjesh,
prej hapit të parë, vrapit dhe ngjitjes,
prej rëniesh të lira në ajër,
rrëzimesh, rrokullisjesh…
Çdo çast ka momente hutimesh,
kur fishekzjarret mbyten në ujë,
ka luhatje të pashpjegueshme të shpirtërave,…
ritme hapash të idhta mbi urë,
kapërcime stinësh…
Çdo çast e sheh vranësirën e syve tu
në sytë e huaj,
në kohën që të mban para pasqyrës.

Në kohën kur s’të njoha

Në kohën kur s’të njoha,
nuk e dija botës çfarë i mungonte,
çfarë e mundonte,
hapësira apo koha!
Dielli lëshonte rreze të vona…
dhe hëna gjithnjë vonohej.
Ëndrrat i shikoja pa vënë gjumë në sy,
kur flija,
të dalloja ty.
Të kërkova gjithë ditët e nuk të pashë,
kalova nëpër net,
me vete thashë:
Mos je një hënë e plotë në sosje,
që ke nisë të zvogëlohesh dalëngadalë,
deri sa drita të dalë.
E çdo mëngjes ti fshihesh prapa diellit,
por asnjëherë nuk do t’i mungosh qiellit!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT