Wednesday, February 4, 2026
BallinaVitrina e libritCIKËL POETIK NGA FATMIR GJATA

CIKËL POETIK NGA FATMIR GJATA

Fatmir R Gjata ka lindur në Fier, Shqipëri më 3 mars 1966. Ai e kreu shkollën në vendlindjen e tij dhe më pas punoi në uzinat e naftës si menaxher grupi për shfrytëzimin e puseve të naftës dhe gazit. Fatmiri ka qenë aktiv në politikë qëkur ishte i ri dhe në vitin 1990 u bë thesarmbajtësi i Partisë Republikane të qytetit të Fierit, një nga më të rëndësishmet në vend.

Ai ka shkruar shpesh për gazetat e kohës, dhe ndryshimet politike në vend e gjetën në rradhët e para. Në vitin ’91 Fatmiri largohet nga Shqipëria për të ardhur dhe jetuar në Itali ku jeton ende sot në Castelnuovo Don Bosco.

Këtu ka punuar për 25 vjet në Pino D’Asti si kujdestar i kështjellës së të njëjtit qytet dhe ndërkohë vazhdoi studimet në Universitetin e Torinos për Shkenca Politike.

Teksa ndërpreu studimet, ai u përqendrua në aktivitetet letrare, duke u bërë një zë i njohur i letërsisë shqipe.

Me 9 librat e shkruara me poezi Gjata u bë protagonist i panoramës letrare të vendit. Fatmiri ka marrë shumë çmime në vende të ndryshme të botës si në: Gjermani, Kosovë, Shqipëri, Itali, e gjithashtu ka marrë edhe titullin si Ambasador i Paqes dhe i Kulturës.

TRE LUMENJ

Tre lumenj më sillen rreth,
vorbullojnë në çmenduri
Dy janë bërë me valë të bardhë,
një sjell vetëm ujë të zi
Një është ndarë hatër mbetur,
ikën thjesht i turbulluar
Në mes pishash të ngrehosur,
në mes shelgjesh të lotuar.

Tre lumenj më sillen rreth,
më përpijnë me grykësi
Vijnë nga larg e të malluar,
puthin detin përsëri
Edhe ikin të çuditur,
mbushur dallgë e mbushur shpresë
Duke u tundur madhërishëm
nëpër djep të Myzeqesë.

Tre lumenj më kanë rrethuar,
e më marin të më çojnë
Të shikoj se ku po ikin,
të shikoj se nga burojnë
Të më shuajnë etjen e verës,
duke ikur me rrëmbim
Në mos qofsha vetë i gjallë,
do jetë vetëm shpirti im.

KUKUVAJKË

Është një zog në errësirë
që vajton çdo natë të qetë
Kur dhe dielli shkon të flejë
edhe zhytet nëpër det
Unë s’e di për kë vajton
por e ndiej këngë të tij
Ndoshta shkul pendët e bardha
ndoshta veshur është në zi.

Kukuvajkë për kë po qan?
Mbase lotët të janë tharë
Nën pemë ku po këndon,
puthen dy dashnorë të marrë
E më tej ca njerëz të dehur,
nga një festë po vijnë me sherr
Kë po qan o zog i bukur,
nën yje nëpër terr?

Kukuvajkë më le pa gjumë,
është i kotë çdo lot që derdh
Shko të marrtë ora e ligë,
mbi një shkurre a mbi një bredh
Se më mbyti këngë e vajit,
po më zgjon me ngashërimë
Lërmë të fle edhe të zgjohem,
të mendoj për shpirtin tim.

Ah ta dish nuk ngrihen dot,
as të gjallë e as të vrarë
Mjaft këndove kot më kot,
lëri të vdekurit në varr!
Kukuvajkë gëzo ç’ka mbetur,
nga kjo jetë që kush se di
S’kemi lindur për të vuajtur,
jemi bërë për dashuri.

ASAJ

Më mirë mos kisha njohur,
më mirë mos kisha parë
Një ëngjëll perëndie,
më la me zemër të vrarë
Po zoti nuk e dinte
kur e bëri vetë me dorë
I bëri flokë të artë
e nuk i dha kurorë.

Më mirë të kisha ikur
i kthyer pas me shpinë
Mos i dëgjoja zënë,
kur ëmbël cicërinë
O Zot po ti ku ishe?
Në gur m’i shkrove fjalë
Mos dëshiro një tjetër
përndryshe nuk të fal!

Më mirë të më plagosje,
të dilte gjak i zi
Që kurrë më të besoja,
në besë e dashuri
Në flakë të ferrit digjmë,
se ndoshta është më mirë
Se sa të digjem gjallë,
me trup e shpirt të shkrirë.

Më mirë të mos besoj,
në ëngjëll të bekuar
Ajo ish thjesht një vajzë,
e mbeta shpartalluar
Është faj më thotë dikush,
një tjetër është mëkat
Por është lëkurë me dritë,
të veshur pak me natë.

Më mirë të mbyllja sytë,
e mos shikoja dot
Pse e bëre aq të bukur,
përse…përse o Zot?
Mjaftonte dhe një shenjë,
të shkruar qiellit vonë
Por jo të mbes i marrë
pse Zoti ekziston…

IKJE ME SHI

Në Rinas sot po binte shi
Qaja unë a qaje ti
O ndoshta qanim të dy.

Avionë ngrihen prej aty,
të tjerë ulen përsëri
Po pse, po pse po binte shi?

Unë s’desha renë ngjyrë gri
Dhe s’më përcolli asnjeri
Kërkoj ndër xhepa një shami.

E kujt t’i them lamtumirë
Motit të sertë e të nxirë
A shpirtit tim në mugëtirë.

Në Rinas sot u ndamë njëherë
Trupi u bë gur dhe shpirti erë
U bëra shenjt e pasagjer.

Tirana mbeti pas, e di
Pilot më ngjan me perëndi
Dhe bota më duket tragjedi.

Ashtu është shkruar në perëndim
Të rroj me shpresë e përgjërim
Gjersa të vij në vëndin tim.

Të laget jashtë të bjerë shi
Nëpër Tiranë e Shqipëri
Gjersa të kthehem përsëri.

ÇELËN LULËKUQET

Çelën prapë ca lulëkuqe
në mes grurit për çudi
Ndoshta farën e sollën zogjtë
nëpër krahë e nëpër shi
Tunden… tunden aq të holla
me petalëzat e brishta
Kuqëlojnë në mes të fushës
e shpalosen madhërisht.

Pa shpërndahet një flamur
i qëndisur për merak
Që nga kodërzë e butë
gjer në det e mbushur gjak
Dridhet ajër a fryn pak erë
gjer në palcë e hyn në mish
E mbulon tërë gjithësinë
e mbulon kryqin mbi kishë.

Erdh pranverë e vendit tim
ku jam rritur ku jam lerë
Dalin vajzat gjinj gufuar
në oborr edhe në derë
Buzëqeshin dhe vrapojnë
të harlisura në fushë
Mbledhin bashkë ca lulëkuqe
dhe i vënë bashkë në gushë.

MANASTIR I ARDENICËS

Tutje detit vijnë ca valë,
psherëtirë
Me nxitim e me ngadalë,
duke nxirë
Nëpër kodër ndez me duar,
një qiri
Vjen një prift për ta bekuar,
përsëri.

Shtrihet grurë në fushë të gjërë,
fal o Zot
Fllad i lehtë e kreh të tërë,
e përlot
Po vijnë krushqit me takije,
si njëherë
Me ca lutje perëndije,
shënd e verë.

Po këndojnë ca murgj të lashtë,
nëpër natë
Grurë u tha e u bë kashtë,
mbet’i thatë
Hapet portë e manastirit,
rëndë rëndë
Shhhëëttt…se Zot i flet të birit,
në kuvend.

Nga Libofshë po niset lalë,
me karvan
Do t’i thojë një dy – tri fjalë,
për matanë
Murgjit heshtin duke e parë,
me zili
Fytyrë rreshkur e të vrarë,
përkarshi.

Zgjohet shpirt i Myzeqesë,
në altar
Ngjitet lart e s’do të zbresë,
duke parë
Sy më sy e dorështrënguar,
me njeri
Vetë me baltë e ka gatuar,
shënjt i tij.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT