Të dua
Të dua, dhimbjen, Kosovë,
Kosovë, ta dua hallin,
leckën me të cilën mbështjell plagët e varfnisë.
Ta dua të tashmen, të ardhmen,
të kaluarën s’e harroj, jam krenare;
aroma e gjakut të dëshmorit akoma në zemrën time gjurmon,
ujëvarë kujtimesh në mendimet e mia.
Kosovë, të dua, pasha sytë e ballit,
nuk iki, te zemra jote jetoj.
Le të më hanë mish e kockë kjo varfëri,
unë prapë gjej paqe në gjirin tënd, atdheu im.
Gjeta ëndrrën që e ëndërrova në kohën e fëmijërisë,
dëshirat që s’u plakën me të parë kurorën e mirësisë.
Kosovë, nata jote është dritë e shpirtit tim,
në kalldrëmet e qytetit lumë lumturish rrjedhin.
Lot e gëzim gjeta në gjirin tënd, Kosovë,
gjeta prehjen shpirtërore,
atë që s’ma jep askush, ma dhuron ti:
jehonën e fjalës shqip.
Të dua, Kosovë, deri në asht.
