ÇAST…
Në guackën time,
e shqyej fort mëngjesin e lodhur.
Në trup përkëdhel,
dhimbjen e nervit të ngordhur!
Thërret brenda meje mendimi,
nuk është jo, i yti ky çast!
Ndaj më tepër më zë trishtimi,
kur vetes fort i thërras!
Dil prej guackës, dil!
Pse fshihesh si nëpër legjenda?
Brenda guackës s’ka diell…
dil para se të vije mbrëmja.
Dil, ky çast s’të përket ty!
Është i ftohtë akull me thotë vetja.
Mos e shuaj yllin në sy!
Pranë veshit më çirret vdekja.
Dil, prej guackës dil!
Pse të mban peng, e djeshmja ty?
Hidhe hapin, ecë përpara…
mbaje përherë diellin në sy!
