Sonte as nata s’na bind të flemë,
ora rri pezull, zemra rri zgjuar.
Një autobus ec nëpër errësirë,
e me të nipi im, Flori, duke udhëtuar.
Ai mban guximin si shall rreth qafës,
frikën e fsheh në xhepin e zemrës.
Është hera e parë pa krahët tanë,
por jo pa lutjet që s’na ndalen.
Babai i tij në Gjermani, me telefon në dorë,
numëron frymëmarrjet, jo kilometrat.
Çdo mesazh i tij është betim,
çdo zë i Florit, plagë e shërim.
Unë, gjyshi, pres në prag të shtëpisë,
si të pres një fëmijë e një kohë të tërë.
Rrugët më duken më të gjata se vitet,
e malli më dhemb si dimër i rëndë.
Sonte jemi tre në një udhëtim:
Ti Flori në rrugë, ne në ankth e dashuri.
Asnjëri s’fle, asnjëri s’është vetëm,
derisa të mbërrish i sigurt në shtëpi.
Dhe kur të zbresësh, nipi im i dashur,
nata do thyhet në dritë.
Pagjumësia jonë do quhet gëzim,
Rruga që bëre vetëm, na bind se je rritë!
