Shkruan profesor Zymer Mehani
Gati tri dekada pas përfundimit të luftës çlirimtare, Republika e Kosovës gjendet në një udhëkryq turpi: shteti ynë ende nuk posedon një listë zyrtare, të saktë dhe të unifikuar të të gjithë martirëve dhe viktimave të luftës 1998-1999. Ky vakuum institucional ka krijuar hapësirë që historia jonë e dhimbshme të dokumentohet, klasifikohet dhe, mjerisht, të deformohet nga organizata joqeveritare, siç është rasti me “Librin e Kujtimit të Kosovës” të Humanitarian Law Center (HLC).
Nuk mund të ketë fyerje më të madhe për gjakun e derdhur sesa pranimi i heshtur i një liste që i shndërron civilët e pafajshëm në “persona të armatosur” brenda mureve të burgut apo në oborret e shtëpive të tyre.
- Absurdi i Dubravës dhe “Luftëtarët” e mureve të burgut
Si mundet që në listën e HLC-së, nga 106 të vrarë në Burgun e Dubravës, 48 prej tyre të figurojnë si persona të armatosur? Kush mund të ishte i armatosur brenda një burgu të kontrolluar nga regjimi i Millosheviçit, përveç policisë dhe ushtrisë serbe? Ky nuk është thjesht një “gabim metodologjik”, por një tentativë e pastër për të relativizuar krimin dhe për të barazuar viktimën me agresorin. - Deformimi i Masakrave të Mejës dhe Reçakut
E njëjta logjikë e rrezikshme vërehet edhe në Mejë, ku nga 376 të vrarë, 27 na paraqiten si të armatosur. Edhe më skandaloze është situata me Reçakun—ngjarjen që trondi botën—ku në listën e Nataša Kandić-it, 8 nga 45 civilët e vrarë figurojnë si të armatosur. Kjo narrativë ushqen drejtpërdrejt propagandën e vjetër të Beogradit, e cila tenton ta paraqesë çdo masakër si “përleshje mes forcave të armatosura”. - Kapitullimi intelektual dhe institucional
Nuk mund t’u vëmë fajin vetëm “argatëve shqipfolës” që i promovojnë këto lista pa asnjë filtër kritik. Faji kryesor bie mbi shtetin e Kosovës.
Pse u lejua që tri dekada pas lufte, burimi i vetëm “referencial” të jetë një OJQ me seli në Beograd?
Pse institucionet tona nuk kanë kryer verifikimin e çdo emri, statusi dhe rrethane të vrasjes, duke u bazuar në dëshmitë e familjarëve dhe arkivat tona?
Thirrje për veprim
Nuk mund të mbrohet historia duke bërë “copy-paste” të dhënat e të tjerëve.
Kërkojmë nga institucionet kompetente: - Hapi i parë: Formimin e një komisioni shtetëror urgjent për rishikimin dhe saktësimin e Listës Kombëtare të Viktimave.
- Hapi i dytë: Ndalimin e përdorimit të listave të HLC-së si referencë zyrtare në ekspozita, libra shkollorë apo dokumente shtetërore pa një verifikim paraprak nga ana e institucioneve të Kosovës.
- Hapi i tretë: Përgjegjësi morale dhe institucionale nga organizatat që, në emër të “artit” apo “pajtimit”, shpërndajnë të dhëna që ofendojnë dinjitetin e dëshmorëve tanë.
Kur ne nuk e kryejmë punën tonë, atë e kryen ai që na vau e na preu, duke na vrarë sërish përmes lapsit dhe shifrave. Dinjiteti i martirëve të Kosovës nuk është pronë e askujt, aq më pak e atyre që kërkojnë “të vërtetën” diku mes rreshtave të deformuar të historisë.
