Ra muzgu,
Mbeten varur ëndrrat mbi një syth të paçelur vjeshte,
Ledhatuar ëmbël nga një fllad i këndshëm i parfumit tënd,
Dalë nga poret e lëkurës së lëmuar,
Ndezur nga dëshira për t’u puthur.
Vetëtimat gjuanin mbi majat e ngritura të gjoksit,
Si fruta të mbushur plot lëng jete
.
Pastaj vjeshta u fsheh pas një peme të zhveshur,
Ku lodronin ca gjethe të kafta,
Me një buzëqeshje të dhimbshme.
Në lëndinat e purpurta të trupit tënd,
Cicëronin drithërueshëm ca zogj,
Që kishin humbur foletë.
Lëngëzonte fruti i ëmbël,
Mbi një degë të përskuqur si zjarri…
