“Në fillim ishte fjala”,
jo si zë, por si thirrje nga thellësitë e hyjnores.
Poezia, jo lojë, por një dëshirë prometiane,
për të vjedhur zjarrin nga qiejt dhe për ta bërë shpirt.
Unë s’jam më unë, kur shkruaj.
Jam hije e Orfeut, që zvarrit lirinë përmes territ,
jam Persefona që ngrihet për pak stinë,
jam Promete që digjet për vlerat e njerëzimit.
Realiteti, ai roje i portës së hekurt,
përpiqet të më mbajë në tokë,
por vargjet, këto urdhra të pashkruar të kaosit,
më shtyjnë në një arenë shumëdimensionale,
ku përvoja përplaset me të panjohurën
dhe lind…, një aliazh që s’ka emër.
Në kulmin e nxitjes, kur mendja nuk e duron më kufirin,
unë arratisem,
jo si frikacak, por si ndërtues i një universi të ri,
ku çdo fjalë është atom i ndjesisë
dhe çdo figurë, një mit i sapokrijuar.
Poezia është mit i vetëvetes.
Ajo lind vetëveten në çdo shkrim,
e pastaj më lind mua
si krijesë që ka njohur dritën e pafundësisë
dhe gëzon për herë të parë
frymën e përjetshme të artit.
