Saturday, April 4, 2026
BallinaVitrina e libritDrita Rubjeka Zeneli-Mamë(Underground)

Drita Rubjeka Zeneli-Mamë(Underground)

Mamë,
Kur u bëra si ti,
Kuptova pështjellën e ndjesive që përplaseshin në paretet e trurit në puerperalin tim,

Ndjeva ikjen e parë të krijesës prej meje,
Dhe e quajta lindjen, emigrimi i parë i fëmijës nga shtrati i ngrohtë mëmë,

Sa kam qarë, kështu më kishe treguar edhe ti…

Cikli i mëkimit nëpërmjet trupit tim, ishte qesh e qaj prej lumturisë që krijesa ime është në mua ende,

Epope gëzimesh dhe frikërash mëkëmbja binomiale, kështu më kishe treguar edhe ti…

Periudha “epokale” e fundit gjidhënës ishte trand.
Ikja e dytë drejt botëve me ngjyra rritje,

Kështu më kishe treguar edhe ti…

Eh, mamë, unë nuk linda një vajzë, si ti,
Por e di një gjë që ti nuk ma tregove asnjëherë,

Ditën kur më përcolle me vel nusërie, kishe ndjerë dhimbjen e kërthizës,

Në fundrrugë, dy makina shkëmbyen boritë,
Në njerën unë me vel të bardhë,
Tjetra për tek ty mamë, urgjencë,

Të shkaktova dhimbjezemrën e parë…
Mamë….

A e din mamë,
Si ti e kam ndjerë ikjen e katërt,
Emigrimin e vërtetë të djemve,

Atë ditë ajri kishte peshë të rëndë,
Hapësira ime gumëzhitëse u bë Sahara,
Dhe një oaz i vogël shi i kripur në mes,

Atë ditë ndjeva dhimbjen e parë të gjirit….
Por ty nuk ta tregova, edhe kur dhimbja u bë e madhe,
Mamë……

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT