Kapërcimet ku preken yjet…
Me fllad na grishin mëngjeset,
bora e re mbi borën e vjetër, ngutja si një shtëngatë,
hapi i lehtë ndër kthesa,
çfarë po ndodh me ne këtë çast!
Na e ngadalson hapin dëshira për ta zotëruar veten,
ai çast,
koha pak freskët, pak ftohtë,
tingujt,
kur flasin përnjëherë njerëzit e zogjtë.
Me fllad na grishin mbrëmjet,
shiu që kthehet në breshër, nxitimi i kohës,
netët e veshura me mjegull,
rikthimi,
një udhëtim i ri brenda vetes,
paraëndërrat, parangjyrat,
pasqyra ku prehen sytë,
paramëngjeset,
parambëmjet,
kapërcimet ku preken yjet.
Në V(Arkën) e Noes
Ky mal mbi mal, ky gur mbi gur, ky shpirt mbi shpirt,
gjurmë mbi gjurmë deri në dhimbje,
në tokën time,
atje ku mbarohen lartësitë,
në një vend ku grinden perënditë,
një rrasë e bardhë i mbledh stuhitë,
e nis vërshimi,g
Përmbytja e dytë…
Ndër vetëtima flakë ndizet qielli,
dielli s’bën dritë!
Me shkreptimë rrrufesh jepet kushtrimi:
Jeni a s’jeni!
