MË AFRO CA FLETË TË BARDHË
Shumë larg u tretën fletët e bardha,
Desha të vrapoj e t’i mbledh ca,
Por këmbë nuk më ecin,
Qenkan të lidhura për këtë krevat të shpifur,
Medet, nuk po i zë as me dorë!
E as me ëndrra, o Zot!
Desha të shkruaj vetëm ca vargje,
Për hënën dhe yjet që më janê larguar,
E që nuk po i zë as syri, as pena,
Për dritën dhe diellin që nuk po i shoh sot,
Qenka bërë errët si një shtjellë e zezë korb,
Qenka bërë skëterrë si nata!
Në vegim më shfaqen
Fëmijët që po më thërrasin,
E këmbët asesi të ecin,
E duar drejt tyre më rrinë shtrirë,
Të ngroh pak shpirtin që më ështê mërdhirë,
Dua t’i marr në gji
Se vetëm mes tyre më ngroh dielli…!
Dua që hëna dhe yjet të mos më braktisin,
Si çdo herë të më bëjnë shoqëri,
Se vetëm pranë tyre nuk ka lidhje këmbësh,
Se vetëm mes tyre bëhem me krahë
Dhe fluturoj në këtë qiell që po e prek me dorë,
Dhe në këtë tokë që mezi po e prek me gishtërinj.
…………………………………………………………………………
NË DHJETORIN E HUAJ
Shqipëria ime!
Vendlindja ime!
Atdhe!
Mall shumë mall kam për ty,
Asgjë nuk më duket e bukur,
Kur larg teje jam,
Larg dashurive,
Që zemra me to rrah,
Ëndrrat me ty shikoj.
Aty linda,
Aty u rrita,
Aty mësova ç’është dashuria
Mendja më rri te ju
Vendlindja ime!
Shqipëria ime!
Atdheu im!
Vetëm në gjakun tuaj
Jeta ime është jetë.
Ju më mësuat ç’është errësira,
Ju më mësuat ç’është drita,
Ju më mësuat cila stinë bleron pranverë
Kur hyn një vit,
Kur një tjetër del,
Këtu në dhjetorin e huaj.
……………………………………………………………………….
MË MUNGON.
Më mungon çdo ditë,
Më mungon çdo natë,
Më mungon era jote, baba.
Më mungon zeri yt,
Më mungon puthja jote,
Më mungojnë sytë e tu, baba.
Më mungon loti i fundit
Më mungon dorë e ngrohtë,
Më mungon gëzimi yt, baba.
Më mungon kur jam e gëzuar,
Më mungon kur jam e mërzitur,
Më mungon forca jote, baba.
Më mungon dita e fundit,
Më mungon buzëqeshja jote,
Më mungon të thërras, në emër, baba.
