BURRË, TA PISH PAK UJË!
Burrë, do pish pak ujë
Ftohu një çikë
Çka e ke marrë kaq ters
Jo, ti nuk je mirë…
Mos ke parë ëndërr të keqe
Natën flisje përçartë
Kurrqysh s’e ke bërë gjumin
Mos t’i kanë mbushur veshët…
Burrë, ç’është kështu me ty
Ç’është kjo gjuhë e nepërkës
O Zot, ç’është kjo ditë
Çfarë metamorfoze…
Burrë, ta pish pak ujë
Ilaç nga lashtësia
Që lufton helmin
Dhe davarit tymin…
***
Eja evlat, ikën retë
Do qetësohet lumi
Se edhe shiu pushoi
Moti i kishte fajet..
.
UA HEQ KAPELËN
-Dëshmorëve të UÇK-së
Ua heq kapelën
Ju përulem deri në tokë
Pa dallim moshe a gjinie
Pa dallim fisi a oxhaku
Pa dallim feje a partie.
Unë kam mall për ju
Jeni qirinj prej mishi e gjaku
Flaka e ndezur në damarët tuaj
Ndriçoi qiellin e Atdheut.
Ju marshuat nëpër plumba
Për një agim të ylbertë
Feniksin nga lashtësia e largët
E përqafuat në monument.
Ju përshëndes me dorë në zemër
Përherë roja të Atdheut
Në luftë dhe në paqe!
Rrënjë të forta të Atdheut
S’ka që ia lëkundë farë cunami* !
PATRIOT PA MANDAT
Nuk mund të rri pa folur
Disa jush na keni lodhur
Dhe këtë nuk e ndiejmë prej sot
Kështu jeni qysh sa mot…
Atë që bëni për atdheun
Merrni shembull Galileun…
Nuk ka tjetër teori
Për atdheun gjithherë fli!
Patrioti nuk ka mandat
Atdheu duhet pa afat
Qoftë në luftë qoftë në liri
Kurrë s’i dalim borxhit atij!
Jo çfarë do më japë atdheu
Po unë ç’do i jap atij
Ne që mësuam Skënderbeun
Ç’na duhet tjetër histori…
Në luftë lypset ideal
Lirinë s’ka kush që e ndalë
Ky ideal s’mbaron kurrë
Zemra atëherë s’di me u tkurrë…
