Shkodrania kaçurrele
(Dedikim)
Si sot e kujtoj atë ditë të bukur
Kur pas të erdha në Universitet,
E vështirë si ta kaloj ylberin, o flutur,
Për fat ti zbrite qiellit si një kometë!
Të gjitha kopshtet t’i kisha shëtitë
Lule ma t’bukur s’kisha me gjetë,
Ishte e bekuar dhe me fat ajo ditë
Takova shkodranen me shpirtin det.
Ja të shoh përsëri tek rri në parvaz
Si një Zhuljetë e bukur si princeshë,
Dhe unë qenkam si një Romeo i marrë
Të dërgoj ca fjalë e ti buzëqesh.
Ka net kur gjumi s’më vjen në qepallë
Se dashuria u bë si një mal për ty,
Si yllneshë magjike më vjen në krahë
Me ato kaçurrelat mbi të bukurit sy.
Si një zambak i bardhë mbi liqen
Që prej valëve e erës lehtas dridhet,
Ashtu është imazhi yt që më vjen
Je e imja dashuri që kurrë s’venitet.
Ndaj do të dua përgjithmonë
Kur fjalët e bukura pikojnë mjaltë,
Kush të pa e s’u mahnit, o luleborë,
Më je princeshë me kurorë të artë!
Ma Shoi Mallin Kjo Pranverë!
Çudi,
Si më kuptove fare pa folë;
Vallë si më lexove gjithçka në sy?!
Botën te paqtë ma dhurove n’dorë,
Ma shove mallin që desh më thau për Ty!
Kur të pashë tek po më vije,
I magjishëm, i bukur si drita në agim,
Me shpresën e madhështinë e miliona yjeve,
Ti, që je drita e syve dhe shpirti im!
Të gjitha dilemat morën rrugë pa kthim,
Jeta sërish buzëqeshur më kapi për dore,
Erdhe, m’përqafove me pranverën n’lulëzim,
Që ti si një pëllumb i bardhë ma solle .
Plot jetë e dashuri u mbush shpirti
Edhe Zoti do të ketë pa,
Kur buzëqeshte prej teje dielli
Dhe lumturinë për Ty ma dha!
Nga qielli i kaltër zbritën mijëra rreze,
Diku pashë në ikje frikën të turpëruar,
Dashuria më pershkoi sa qindra dete,
U ndjeva sërish rrugës së blertë për të vazhduar.
E, pra, ti je vet mrekullia
Se Zoti vetë e tha me gojë,
Kur shpirti mbushet nga dashuria,
Jeta s’ka shteg që s’mund ta kalojë.
