Thursday, February 5, 2026
BallinaVitrina e libritE marta poetike me poetin Sheremet Prokshi

E marta poetike me poetin Sheremet Prokshi

KA MBI TRIDHJETË VITE

MË VIJNË FJALË TË NËNËS...

Sa të kishte hije

Shamija në kokë,

Flokët ngjyrë gështenje

Shkëlqenin mbi ballë,

MIRUSHE të quanin

Shoqet e katundit

Ty nënë që na mbaje

Në sy nën qepallë.

E mbaj mend moj loke

Sa isha i vogël

Atbotë vishje trupin

Me këmishë qenari,

Jelek, shokë e shall

Qendisur me ojma,

Pshtjellakët e leshtë

Ndritnin si fanari.

Kur vinim nga shkolla

Nga fusha e loja

Ne flisnim ti qeshje

Me plot ëmbëlsi,

Dhe kur kishte ndodhur

Bënim ndoj gabim,

Me këshillat tua

Ndjenim kënaqësi…

Rriteshim ngadalë

Me zemër të hapur,

Për mësim e shkollë

Na frymëzoje nënë,

Është det i pafund

Rrugëtimi dijes

Dhe duhej shumë mund

Diçka për të zënë.

PËR TY ZË I FJALËS, FLAKADAN I NDRITUR

(Poetit Ymer Elshani)

Na solli Karvani shkrimtarë nga gjithë trojet

Për të shtruar në Sofër me dhjetra poezi,

Sot këtu, kjo ditë, do fshij çdo pikë loti

Të ndijnë frymë magjike vargjet për fëmijë.

Pa le të bien zilet në shkollat fillore

Këngët e nderimit fare mos t’pushojnë,

E te pllakë mermeri ku ka rënë poeti

Kurorat me lule duam të pranverojnë.

Të mbëltohen vargjet nga faqet e bardha,

Me veprat e shkruara të ngritet kala,

Për ty zë i fjalës, emër përjetësie

Flakadan i ndritur o Ymer vëlla!

Cikël i vargjeve për fëmijë:

KUR FILLON KËNGË E BILBILIT

Kur fillon këngë e bilbilit

Bëhem shpend në maje kreshte,

Bëhem degë e bisk me gjethe

Bulëzoj si lule pjeshke.

Bëhem lodër fëmijërie

I buzëqeshur nisi lojen,

Si bletë bëhem, fluturake

Me nektar e mbushi zgjojen.

Bëhem ketër kureshtar

Fole zogjësh plot me vezë,

Fushë bleruar nga fije bari

Peshk për lumë, jo për truezë.

NË VARGJE POETI
Në vargje poeti
Gjelbëron livadhi,
Kurorës së lules
I rritet petali.

Pylli ndërron ngjyrën
Degëzat gjethojnë,
Ariu rrah daullen
Ketrat vallëzojnë.

Këndon gargullesha
Si me megafon,
Zëri saj i lartë
Gjumashët i zgjon.

Me penën magjike
Sjell ngrohtësi vere,
I mbëlton shpatijet
Me lëng manaferre.

  • Poezi nga Sheremet Prokshi
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT