NDAJNATË
më vidhet ky muzg…
si rrëke
gjinjve të luginës,
si mjegull lehonë
pyllit të përgjumur.
era,
në krahët e hapur të shkëmbit
përplas velat e ditës.
molit, ngjyrat kërcejnë.
në vetminë e fushës
acari zhvoshk
kallirin harruar nga vjeshta.
perëndimi,
si çoban i vjetër
në vathën e horizontit
rrezet e fundit shtyn.
ca rè gri
kullotin në livadhet e hënës,
ndukin sisën e Arushës së Madhe.
më vidhet ky muzg…
si hije rrenacake
mbas takave të holla,
si loti i heshtur
buzës që dridhet.
