Monday, April 6, 2026
BallinaVitrina e libritElmije Ajazi-Jam tokë apo veç kalim

Elmije Ajazi-Jam tokë apo veç kalim

ka diçka në mua
që nuk rri.

edhe kur ndalem,
vazhdoj të iki.

kam mësuar të buzëqesh si vend,
por brenda jam rrugë
e gjatë,
pa kthim,
pa adresë.

më kanë kaluar njerëz nëpër shpirt
si stinë që s’lanë gjurmë të mjaftueshme
për t’u kthyer.

dhe unë i kam lënë
pa zhurmë,
siç bie një gjethe
që askush nuk e ndjek me sy.

atëherë pyes veten:

jam tokë?

ajo që mban,
që fal,
që pret edhe kur e harrojnë?

apo jam veç kalim
një çast që shuhet
pa e kuptuar askush
se ishte aty?

se toka ka peshë.
dhe unë…
kam jetuar i lehtë
më shumë si mungesë
se sa si prani.

por ka net
kur diçka në mua nuk lëviz.

kur një kujtim
më zë vend në gjoks
si rrënjë që s’di të largohet,

kur një emër
më rritet në heshtje
deri sa bëhet pjesë e frymëmarrjes sime,

kur dhimbja
nuk kalon
por vendos të qëndrojë.

aty,
ndoshta…
jam tokë.

por sapo zbardh,
unë prapë bëhem rrugë.

nuk di të qëndroj.
nuk di të jem strehë
as për veten time.

dhe kështu jetoj
mes dy të vërtetave që nuk falin:

që dua të rrënjosem,
por jam mësuar të iki.

që kërkoj të jem tokë,
por e njoh veten si kalim.

dhe në fund
kur edhe heshtja lodhet nga unë,

mbetet vetëm kjo:

nuk jam as ardhje,
as ikje.

jam ajo çarje e padukshme
mes tyre

ku njeriu përpiqet të bëhet shtëpi,
por mbetet…
rrugë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT