Miqësia është si një kështjellë rëre, e vështirë ta ndërtosh, e thjeshtë ta shkatërrosh, dhe shumë e bukur ta rindërtosh”.
Sa me fat jemi kur në ditë të mira e jo të mira, kemi dikë që na rri afër, na përqafon, na ngushëllon, e na thotë: Mos u shqetëso jam këtu për ty, nuk të lë vetëm.
“Askush nuk do të donte të jetonte pa miq edhe sikur të kishte të gjitha të mirat e botës”, kjo thënie nga Aristoteli asnjëherë nuk mund të ndryshohet, deshe apo nuk deshe, sepse është e vërtetë.
Ata na i mbanë afër dashuria, besimi, ndershmëria, respekti, pra miqtë krijohen me kalimin e kohës, por, me themelet e besnikërisë dhe respektit. Miqtë nuk kanë shtëpi për hipokrizi, tradhti, interes, mashtrime, imponime etj., por, që ne shtëpinë e tyre mjafton ngrohtësia e dashurisë dhe respektit.
Krijimi i një lidhje të ngushtë e deri tek njohja mirë me njeri tjetrin nënkupton miqësinë, pra një lidhje sociale bashkë me ndjenja dashurie të ndërsjella që ndodhë mes dy apo më shumë personave.
“Miqtë janë si vera, sa më e fortë aq më e mirë”, një gjë që na fal siguri dhe më shumë besim në vetvete .
Miqësi e vërtetë quhet ajo që zgjatë dhe mund t’i thuash tjetrit, ti nuk je si unë, bën mirë që je kështu siç je, sepse më pëlqen që je ndryshe nga unë. Andaj për miqtë kujdesu si për një lule, se po nuk u kujdese dhe nuk e ujite atë me ujë të pastër ajo vyshket…
Sepse, kur të besohet diçka, do të thotë se je përgjegjës për të gjatё gjithё jetës. Aq më tepër, nëse dikush t’i beson mendimet, emocionet, ndjenjat më të thella, mendo se sa përgjegjës je për të. Sepse tjetri të beson pjesën më delikate, më të ndjeshme, më të brishtё tё tij.
E kur tjetri na beson, nё atё moment duhet ta pyesim veten: Pse m’i beson mua këto?Çfarë e shtyn? Sa jam në gjendje ta ruaj këtë sekret, rrёfim intim tё tij? Mirëpo, nëse nuk je në gjendje ta mbash si të shenjtë atë që të thuhet e besohet, thuaja tjetrit se të vjen keq, por qё ti nuk je personi i duhur, nuk mund ta mbash këtë gjё pa ia thënë edhe të tjerëve. E kjo gjё duhet kuptuar, e pranuar, se jo të gjithë e kanë këtë dhuratë që të dinë të jenë të besueshëm e besnikё. Por, nëse e keni zbuluar se e keni këtë virtyt, mos e humbisni. por angazhohuni që ta ruani me përkushtim, pavarёsisht nga rrethanat dhe situata.
Pra, miqësia na bën të ndjehemi, më të fortë falё sigurisë dhe besimit në vetvete që rrjedh prej besimit që na fal dikush tjetër, të cilin e respektojmë, me të cilin kemi mundësi tëbisedojmë gjithçka, madje edhe çështje për të cilat mund të mos jemi edhe aq krenarё, duke e ditur se miku do t’i presё me tolerancë të gjitha, pa qenë paragjykues. Miqësia, është ajo që flet me veprime miqësore, me sy miqësorë, që përcjell tek miku dashuri, besim, mirëkuptim, paqe.
Çfarë e bën një mik të denjë, që të quhet i tillë?
Është e vështirë të gjesh fjalë të përshtatshme, për të pёrcaktuar, pёr tё thёnё se çfarë është një mik. Sepse fjalёt janё tё pamjaftueshme tё shprehin vlerën e një miku, shoku. Megjithatё, po mundohem që të shënoj disa rreshta. Miku, është një person me të cilin kemi guxim të jemi vetvetja, dikush që kupton të shkuarën tënde, beson në të ardhmen tënde, dhe ёshtё i gatshёm tё të pranojё ashtu siç je! Është ai, që nuk kërkon përfitime, që nuk imponohet, që di dhe e respekton lirinё e tjetrit. Ai interesohet për ty, jo nga kureshtja, por nga dashuria, qan dhe qesh me ty. Është ai, që ju frymëzon të jetoni potencialin tuaj më të mirë, e nuk ju shtyn drejt gjërave të pavlera e të rrezikshme.
Për ta kuptuar më mirë dhe thjeshtë, se si ta ruajmё një miqësi, do të na ndihmojё ky tregim:
Si mbahet një miqësi?
Një ditë një nënë së bashku me fëmijën e saj ecnin buzë detit. Papritur fëmija i drejtohet nënës dhe e pyet: “Mami si mbahet një miqësi?” Nëna sheh fëmijën dhe duke i buzëqeshur i thotë: “Merre pak rërё!” Fëmija ulet dhe e merr një grusht rërë. Pastaj nëna i thotë: “Tani shtrëngoje grushtin!” Djali e shtrëngon dorën rreth rërës dhe sheh që sa më shumë shtrëngon, aq më shumë rëra i del nga dora. “Mami po rëra po ikën… !” E di shpirt … “Tani mbaje dorën të hapur…!” Djali bindet, por fryn era dhe pjesa tjetër ikёn me të. “As kështu nuk e mbaj dot!” Pastaj, nëna duke buzëqeshur i thotë djalit: “Tani merre pak rërë dhe mbaje dorёn gjysëm të mbyllur, të mbyllur aq sa ta ruash rërën dhe hapur sa për pak liri”. Djali e provon përsëri dhe kësaj here rëra nuk i rëshqiti nga dora dhe nuk ia mori era. “Ja zemër, si mbahet një miqësi…!”