Në katër muret e ftohta, hija ime shihet,
kujtimet vijnë mes betejës, flakës e dritës.
Me penë e pushkë dikur ngrita shpresën,
tani heshtja më dhemb për të vërtetën.
Në burgun e natës, edhe dita rri pranë,
në zemrën e plagosur – të pathëna fjalë.
Stinët e vitit më ruajnë këngën e lirisë,
e unë n’vete lutem për ligjin e drejtësisë.
Se lufta ime s’ishte urrejtje as gjakmarrje,
por thirrje për dritë, për tokën arbërore,
për nënën që qante, për fëmijën e vrarë,
për babanë e masakruar, e Kosovën nënë.
Edhe sot shpirti qan për zërin e fëmijës,
që s’e dëgjova të më thërriste “baba”.
E tash në ëndrra më vjen me fytyrë drite,
i rritur,por përsëri mua n’shtëpi nuk më ka.
Gruaja më shkruan letra me lot e mall,
me besë e durim, sikur të ishte një zanë.
Në çdo letër më dërgon aromë shtëpie
Mbështjellë mes vargjesh me flamur lirie.
Muret më flasin në heshtjen e shpirtit,
për ditën kur do ndiej aromën e lirisë.
Se fjala e dhënë për tokën amëtare
është betim i lindur n’moshë të rinisë.
Nga dritarja e ndiej qiellin e Kosovës,
ku ëndrrat e mia fluturojnë krahlehtë.
Do vijë ajo ditë për të vërtetën time,
për luftën dhe lirinë të paguar me jetë!
