-VDEKJA E POETIT-
Një natë të ftohtë pa hënë,
Kur qielli qante mbi tokë,
Ai jetës i thoshte lamtumirë,
Me vargjet e fundit në kokë
.
Letër më s’kish në tryezën e vjetër,
Mbi dërrasën e saj veç pluhuri flinte,
Ai shihte ëndrra me skllevër e mbretër,
Dhe det me dallgë që uturinte.
Shtrati i drunjtë kriste nga ëndrrat,
Një merimangë në dhomë valëviste flamurë,
Ëngjëlli i vdekjes, tek thêrriste emrat,
I vari një fletë të bardhë mbi mur.
Ai qeshte për veten dhe qante për botën,
Dhe vargjet e fundit zhgarraviste në kokë,
I vinte keq që se mbaroi poemën
E njerëzve të mjerë mbi tokë…
Mbi komodinën e nxirë nga nata dhe tymi,
Një orë si korb krokëllinte me zhurmë,
E priste, të zgjohej poeti nga gjumi,
Që ta shpinte të flinte tjetër gjumë.
Hëna heshti,
Nga vetëtimat qielli i plakur u ndez,
E fundit ëndërr mbaroi tek poeti,
Një poezi i mbeti në mes.
Vetëm heshtja ishte dëshmitare,
Kur shpirti dhe trupi iu ndanë,
Vargjet e ëndrrat fluturuan dhe njëherë,
E pastaj u tretën dhe ranë…
Nata e zezë ishte në mbarim,
Dhe qante qielli mbi tokë,
Poeti jetës i tha lamtumirë,
Me vargjet epilog në kokë…
