Ka disa vite që po pres
atë që shqiptarët në moshën teme gjithmonë kanë ba:
po pres me u plakë.
Mos e kemi në gen me u plakë shpejt?
Se këtu as plakat nuk plaken.
Kurse ne e lëshojmë vedin herët,
nisim me thanë “u plaka”
“u plake”
sapo fëmijët na rriten pak.
Në fillim jemi vajza
mandej jemi
plaka.
Pse e plakim njena-tjetrën
brez mbas brezi
gra?
Shtyjmë vedin e tjerat me luejtë rolin e plakës:
ejani gra të luejmë plakash,
plaka të nderueme.
Harrojmë vedin,
jetojmë veç për të tjerët.
”Dukesh si vajzë e re” i bajmë kompliment
ndonjenes që nuk hyn në rol,
gruas që i ka katërdhjetë
pesëdhjetë vjet,
e bukur dhe e fortë.
A thue me mendjen e burrave kemi mendu
gra?
Se burrave u pëlqejnë vajzat e reja
e veç të rejave munden me ia dalë.
Kurse ne i njohim mirë.
Mos ndoshta na kanë plakë,
pse plakat nuk dinë asgja?
Ejani të mos plakemi
gra!
