AUTOR: Amb. Akad. Miftar Tërshnjaku
Që nga fillimi i punës si mësimdhënës në ish-Gjimnazin Emin Duraku (Ruzhdi Berisha) – Sharr, Dragash, Profesor Sadik Kryeziu tregoi menjëherë shkallën e mendjes dhe karakterit që e bën pjesë të elitës më të shquar shqiptare. Në vazhdimësi, puna e tij është krahasuar me pedagogë dhe profesorë si Eqrem Çabej, Faik Konica dhe shkrimtarë të njohur si Migjeni, Ismail Kadare etj.
Ai ishte frymëzues i çështjes kombëtare. Qysh atëherë, nën frymën kombëtare dhe vitet e flamurit të vitit 1968, u dallua si një mendje e shkëlqyer dhe një frymëzim për të gjithë ata që e rrethonin idealin kombëtar – me thëniet:
“Një flamur duhet të ketë kombi që të mos shuhet.”
Kjo ishte thelbi i Profesorit: përpjekja për komb dhe dije. Mbi 40 vjet, ai ka ndriçuar rrugën e dijes dhe gjuhës shqipe. Në orët e tij të gjuhës, ndjente apoteozën e mjerimit të poemës së Migjenit dhe poemën e Lulit Vocerr, duke kthyer çdo diskutim dhe analizë në një udhëtim drejt njohurive mbi mjerimin, skamjen, varfërinë dhe stërlodhjen e shpirtit shqiptar.
Profesor Sadik Kryeziu ishte pjesë e elitës intelektuale shqiptare të kohës, krahasuar me profesorët dhe dijetarët më të shquar. Njohuria, mendja dhe karakteri i tij bënin që çdo fjali, çdo këshillë dhe çdo veprim në orët e mësimit të shndërrohej në dritë dhe forcë për brezat e rinj.
Në punë, ai ishte shembull i përkushtimit, drejtësisë dhe ndershmërisë. Secila fjali e tij kishte peshë; çdo udhëzim ishte një mësim për jetën dhe për shpirtin drejt lirisë kombëtare. Ai i dha zë të heshturve dhe dritë të verbërve; bëri që dijenia të shndërrohej në një pishtar të përjetshëm të kulturës dhe gjuhës shqipe.
Çdo fjali e Profesorit ishte dritë që ndriçonte brezat përgjatë rrugëtimit historik të asaj kohe, çdo veprim i tij ishte forcë që ngrinte shpirtin, dhe çdo kujtim i tij mbetet krenari e pa shoq për ne dhe gjuhën shqipe. Ai ishte dhe mbeti një emër i gjallë ndriçues, një pishtar i dijes shqiptare dhe një shembull i përjetshëm i përkushtimit ndaj fjalës, kulturës dhe shpirtit të kombit.
Sot, shumë breza krenohen për të. Ishim me fat që patëm këtë pishtar përgjatë rrugëtimit të dijes. Urojmë të ketë shëndet dhe jetë të gjatë, sepse pesha e kombit matet tek flakadanët e dijes.
