Jam këtu sa vete toka
Me flamurin kuq e zi,
Ma shqyen tokën copa- copa
Në Ballkan jam Iliri.
Për këtë vend të isha nëna
Gjuha është metaforë e jetës,
Si fole është kthyer zemra
Jemi bijtë e së vërtetës.
Jam Sanxhaku dhe Topllica
Jam Leskova, Buna, Drini,
Pret Medvegja, Mitrovica,
Pret Presheva e Ulqini…
Vij nga Shkupi e Manastiri,
Më përcjell Berati, Vlora,
Kur shkel në Strugë te Dukagjini,
Flisnin shqip Ohri, Tetova…
Po shoh Artën dhe Janinën,
Në Prizren më krenon Sharri,
Lezha më kujton bashkimin,
Më gëzon dhe Lumëbardhi!
Trung i lashtë është copëtuar
Që nga Jugu në Veri,
Shpirt i kombit është plaguar
Ligjëron Mëma- Shqipëri.
Nëpër male e lugina
Bijtë e shqipes bëjnë besë,
Jehon vallja në lëndina
Me fisnikët djep më djep.
Midis jush gjej shpresën e madhe
Brez pas brezi mos harroni!
Çdo traditë na bën krenare
Pavarësinë përherë nderoni!
Me gjak brezash është flamuri
Flet e s’hesht jo historia,
Kombi ynë si palcë guri
Besën lidh mbarë vëllazëria!
Kujtojmë rrugën e lirisë
Çdo pëllëmbë lyer me gjak,
Kur vjen festë e Pavarësisë
Bekon bijtë në çdo bajrak.
Përkarshi të kam Prishtinë
Nusëron për bukuri,
Kam në zemër shqiptarinë
Që festojnë paqe e liri!
Nëse grindeni mos u ndani
Se armiku bën gosti,
Të gjithë bashkë ju do vatani
Si nëna mban fëmijën në gji
.
Bekon festat me flamur
Mërgimtarët pret me mall,
Vendi i lashtë me gjuhë e kulturë
Nderon trimat dritë të rrallë!

