SYTË E YJVE
Hëna buzëqeshte
e sytë e yjve ndrisnin,
dëshira frymonte;
në dritën e yllit të agut
rrugica mori ngjyrat
e Van Gogh-ut.
Në grimin e rrezeve të diellit
që derdheshin,
në krahët e gjërë shkëlqyes të agimit,
nga qielli im i dashurisë
erdhe me hapa të shpejtuar
të pranverës së lulëzuar pragut,
e bukurinë e tejskajshme të luleve të majit.
Më mbushe me aromën e zambakut të kuq mbretëror,
mallin tënd e vrave në zemër e arie këndoje;
në kulloshtër shpirti
lava dritën e syve të mi.
