VARRI I HEROIT
Ku ta gjej vorrin e trimit,
Pyes Kelmendin shkrep më shkrep?
Nëpër odat e Berlinit,
Fjalë e tij asht si ortek.
Ai, Prekë Cali, lis mbi lisa,
Shtatboriga, besëpapremi!
Më të gzoka shqiptaria!
Jehon kanga brez pas brezi.
Kur kërkonin copa toke,
Bash si dashin pret kasapi,
Ai, Prekë Cali me za shqote,
Ndizte fjalën si masati!
Larg prej trollit turku, serbi!
Larg prej trollit pabesia!
Se ai kishte besë Kelmendi,
Që ta jep vetëm liria.
Nga martina digjej guri,
E plisbardhin njomte gjaku.
Ai Prekë Cali, fis prej burri,
E kish jetën si bajraku!
Ku ta gjej varrin e trimit,
E t’ia vë një lule bjeshke?
Ashtë fryma e blerimit,
Ashtë ninulla nëpër djepe.
As nga farë e komunizmit,
Nuk iu shua kurrë lavdia.
Me Prekë Calin trim i trimit,
Mbeti nezun krenaria.
Do gjethojë pisha te mali,
Do të shtrohet prapë sofra,
Do kujtohet ai Prekë Cali,
Porsi gurra që gurroka!
Për të ulet Shkodra Loce,
Ia vë lule marrë nga bahçja.
Log më log do tinguj lodre,
Për të marrin valle shpatash.
-Pse po kjan moj zoja Shkodër,
Vesh në zi e pa duvakun?!
Po vjen Preka votër më voter,
Buna plakë po përcjell gjakun.
Mbi çdo lis të marrë nga trolli,
Mbi çdo lule te livadhi,
Rrnon kujtimi i heroit.
Rrnon në shekuj ai Prekë Cali!
O Kelmend, o xixë stërralli!
Me do bjeshkë si mrekulli.
A nigjon si thrret Prekë Cali,
Që për ty ish si hyjni?
Faqja e bardhë në Shqipni,
Askurrkush nuk të pushtoi
Përmbi majat me duhi,
Malet mbeten si kunorë
.
Sot po flet maja me bore,
As një gur s’ka për tradhëtarin,
Lule bjeshke thurë kunorë,
Na nderoi djalë pas djalit.
Për Prek Calin trimi i trimit,
E ndên telin çiftelia.
Se mbi supet e kujtimit,
Nëpër shekuj shkon lavdia.
