Në kalendar nuk e shkrova ditën e parë të takimit
Në kujtesë kam datën dhe muajin e saktë.
Ah, që s’e mbaj mend fjalën e parë të shenjtërimit
Që më bëre me fletë, që më bëri me krahë.
Nisa të përkëdhelesha si vajzë me kordhele me lumturi.
Në zemër e gdhenda datën si një ditë e madhe
Gjithë kohën do ta kujtoj me kaq nostalgji
Për vite që ikën si fluturim i një sorkadheje
Ne nuk pyetëm për njeri-tjetrin asnjëherë
se u pamë u dashuruam me marrëzi.
Të shikoja e zemra fluturonte si zogu në fole
Na u duk sikur kishim shumë ngjashmëri.
Ngjanim me njëri-tjetrin në sy, në flokë në fytyrë.
Brigjet e zemrës kanë një kod tjetër dashurie.
Ato s’duan shkrime e nënëshkrime në një zyrë.
as ligjërime me psalme në altarin e një kishe.
Po duan atë dridhjen e trupit kur të prek
Kur ti përkëdhel i dehur nga të zjarrtat pasione
Duan netët që gdhihen mes fjalës në vesh
Duan duart e bardha e të butë që të shtrëngohen.