Nga djemtë e vajzat mbushej shtëpia
Nga nipërit dhe mbesat gjithashtu
Si ikën të gjithë, bijë edhe bija ?
Veç Nëna mbeti, e vetme ” kërcu”
Çdhimbje mban Nëna, fshehur nën rrudha !
Të dashurit e zemrës ia ndau kurbeti
Sytë e përlotur i mbetën nga udha
Pritja dhe malli, të gjorën e treti
Kështu, prej Zotit qënka e thënë
Të enden nëpër botë, skaj më skaj
Me buzë të dridhur të qajë një Nënë
Që dot s’i mbajti në gjirin e saj
Fluturuan si zogj shtegtarë në erë
Tashmë nuk dihet, kthehen a skthehen
Në folezën e vjetër, aty ku kan lerë
Aty, ku të parët e tyre prehen.
