DALLANDYSHES
Ca pika lotë i derdha kur ti erdhe!
E prapë do të më njomen sytë kur të ikësh.
Mbase do t’më mbeten të tharë si një çerdhe
Kur zogjtë e dashuruar me këngë e braktisin?
Pse nuk jam edhe unë si ti, dallandyshe
Të kapërceja dete, shkretëtira pa kufi
Të provoja hemisferat ku gjaku vlon ndryshe
Në savanat e pafundme të endem në liri!
Nën diellin përvëlues të sulesha dhe unë
Qumështin si bebe nga një arrë kokos të pija
Mes xhunglave i qetë të flija një herë gjumë
Sy më sy, ballë për ballë me luanin mbret të rrija;
Të gjuaja me zezakët e pagdhëndur si i marrë
Me harqe të vjetër, me ushta dhe shigjeta
Të dëgjoja këngët e lashta, të qeshurat plot zjarr
Mes ëndërrash naive dhe lutjesh të fshehta;
Në Afrikën e zezë, gjaknxehtë e rebele,
Mes tufash hergjele mbase ndihem më i lirë,
Mbase çel si një lëndinë plot diell, luledele
Shpirti im i fishkur, frymëzimi im i ngrirë;
Mes dëshirës dhe ndjenjës plot afshe të nxehta
Në një ëndërr të mpirë rri sot unë i heshtur,
Veç zemra mund ta dijë ç’ka mbetur nga jeta
Nga gjykimi im i ftohtë pasioni im i tretur…
Oh, lamtumirë, do të them sërish, dallandyshe!
Udhë e mbarë ty larg dhe fat të më kesh!
Në se më gjen prapë nën strehëz, pa mëdyshje
Një folezë që të pret shpirtin do t’ma gjesh…
