Mërguan zogjtë shtegëtarë
Në eter këngët lanë përhapur,
Dielli fshehur brenda pyllit
Kurora pemësh ka përflakur;
Digjet qershia – flakë e kulluar
Nga era krahëfreskët përkulet,
Mes bojëkafes të arave lëruar
Dhe blerimit të lëndinës me lule;
Një folezë ka mbetur e braktisur
Altari ku erërat rrëfehen
Dhe malli strehohet i ngrysur
Në pritje të këngëve të kthehen;
Mos vallë një pemë e zhveshur
Jam dhe unë në këtë vjeshtë,
Ku vetëm një fole ka mbetur-
Fole malli që dikë pret!
Vetëm zemra do më gjykojë
Për ndjenjat që mbaj në gji,
Vetëm ajo mund ta ndëshkojë
Atë që fsheh në thellësi…
