SI GJEME ME DUKET DASHURIA
Rastësisht kalova te shtëpia jote,
S’e pata guximin të trokisja te dera…
Diçka i mungonte kësaj bote
Si e çmendur përplasej dritarja nga era.
Dhe prita gjatë, po asnjë shënjë jete
Atë ditë vjeshte, pasdite vonë.
Një barrë kujtimesh mbartja me vete
Kur kënga mbushte shpirtin tonë.
Mendimi më dridhej si ëndrrat dikur,
Kur gjithë ditën e kaloja me ty.
Një boshllëk, që s’e kam ndier kurrë
Dhe asgjë, asgjë s’më hynte në sy.
Mbeta i vetëm nën qiellin pa hënë,
Rreth meje më e rëndë bëhej vetmia,
Lamtumirë!… Diçka na mbeti pa thënë
Si gjëmë më duket sot dashuria…
