Gurgullima e përroit,
shushurima e malit,
kënga e bilbilit
e bëjnë melodinë e pyllit.
Këmbanat e ogiçit,
blegërima e qingjit,
bariu i bie kavallit,
ia merr melodisë së topallit.
Baresha vallëzon,
pak më larg zana shikon;
bareshën e urren,
bariun e dashuron.
Zogjtë ndalën këngën
kur e panë zanën;
drujtë ranë përdhe,
rrjedha e lumit u ndal,
dielli hyri në re.
Qielli u errësua,
filloi një shtrëngatë
me vetëtima e bubullimë;
dhe krisi rrufeja,
pastaj s’dukej gjë,
s’dihej çka u bë.
Qielli u kthjell,
nata u çel;
bariu, baresha e zana
u zhdukën si me magji.
Vendi i tyre ku qëndronin
ishte bërë shkrumb e hi.
